Arbëri

Myslimanët festojnë Kurban Bajramin

Kurban Bajrami

Foto: Driton Paçarada

Besimtarët myslimanë në Kosovë sot në mëngjes iu drejtuan xhamive për faljen e namazit të Kurban Bajramit.

Ceremonia kryesore në Kosovë është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, nën drejtimin e myftiut Naim Tërnava, i cili ka thënë se festa e Kurban Bajramit është ditë gëzimi, por edhe reflektimi.

“Është ditë kur kujtojmë mëshirën e Zotit, faljen dhe begatinë që ai na dhuron. Është ditë kur ne si besimtarë, por edhe si shoqëri, i kthejmë sytë edhe më shumë ndaj njëri-tjetrit me dhembshuri, solidaritet dhe përgjegjësi".

Tërnava ka kërkuar reagimin e shtetit për rënien e natalitetit në Kosovë

“Në këto kushte, rënia e natalitetit është një alarm kombëtar. Shteti duhet të reagojë me shpejtësi të madhe, të mbështes familjet me politika pro natalitetit siç janë punësimi i të dy prindërve, lehtësimet ekonomike, mbështetësja për nënat shtatzëna, kujdesi për fëmije e tjetër. Shteti duhet të ketë strategji konkrete për ndihëm ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe sociale për këto familje dhe këta fëmijë. Çdo qifti që ka 4 a më shumë fëmijë, i propozoj qeverisë që të ua dhurojë të gjithëve nga një banesë gratisë. Kjo nuk është thjeshtë vetëm nevojë ekonomike për këto familje, por është edhe përgjegjësi morale, fetare dhe kombëtare”, ka thënë ai.

Kurban Bajrami është një nga festat më të rëndësishme për myslimanët. Festa simbolizon përkushtimin ndaj Zotit, bindjen dhe besimin, por është gjithashtu një moment për reflektim shpirtëror dhe mirënjohje.

 

 

 

Falja e namazit të Kurban Bajramit në Xhaminë e Madhe, Prishtinë

Kurban Bajrami është festë që shënon kulmin e Haxhit dhe mbahet në muajin e fundit të kalendarit islam. Miliona myslimanë në Mekë kryejnë ritet e Haxhit, e të tjerët festojnë Kurban Bajramin me falje të namazit dhe therjen e kurbanit.

Për këtë ditë, besimtarët therin edhe një kafshë dhe ndajnë mishin me familjen, të afërmit dhe më të varfrit. Agjencia e Ushqimit ka bërë thirrje që therjet rituale të bëhen vetëm në thertoret e aprovuara nga kjo agjenci. AUV-i ka paralajmëruar se pos që është shkelje ligjore, therja e kurbaneve jashtë këtyre objekteve është edhe rrezik për shëndetin e përgjithshëm publik.

“Kurban Bajrami është festë fetare, por megjithatë bart në vete mesazhe të thella shoqërore e atdhetare. Festa e Bajramit s’kufizohet vetëm në adhurim, por kontribuon në forcimin e vlerave që ndërtojnë shoqërinë dhe forcojnë atdheun. Prandaj themi se kjo festë forcon ndjenjën e bashkësisë dhe vëllazërisë mes nesh, e që është bazë për shoqëri dhe shtet të qëndrueshëm”, ka thënë myftiu Naim Tërnava, në urimin e tij në natën e Kurban Bajramit.