LAJMET E MBRËMJES

Mohohet arritja e marrëveshjes mbi targat

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka mohuar të mërkurën se Kosova ka pranuar një propozim mbi zgjidhjen e çështjes së targave ilegale nga Bashkimi Evropian.

Duke mos elaboruar mbi substancën, Bislimi ka thënë se gjatë bisedimeve të së martës në Bruksel me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, është diskutuar mbi disa elemente, porse marrëveshje mbi targat nuk është arritur.

Ai, me gjithë insistimin e gazetarëve, nuk ka treguar nëse do të nisë së zbatuari më 21 nëntor vendimi i Qeverisë që e parasheh shqiptimin e gjobave për poseduesit e veturave me targa ilegale.

“Ka elemente që kemi diskutu për mundësinë e daljes nga kriza, por nuk ka dakordim dhe nuk ka logjikë me diskutu në publik për diçka… Vjen e marta pas të hanës, nuk e di çfarë do të ndodhë. A e di ti çka ka me ndodhë, unë nuk jam Nostradamus, jam zv. kryeministër. Nuk e di çfarë ka me ndodhë të hanën se na jemi në bisedime, a jeni tu e kuptu….97.3 përqind”, tha Bislimi.

Në BE ndërkaq kanë thënë se janë në pritje të një përgjigjeje nga Kosova lidhur me propozimin e bërë nga Lajçaku mbi çështjen, ka raportuar Radio Evropa e Lirë.

E zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një deklarim për Tanjugun ka theksuar se propozimi i vetëm është ai që është bërë të hënën nga përfaqësuesi i lartë i bllokut, Josep Borrell.

“Është një propozim në tryezë për të cilin përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, foli në një konferencë shtypi të hënën dhe diskutimet për të janë duke vazhduar. Pra, nuk ka asgjë të re dhe ajo që tha të hënën është ende aktuale”.

Borrelli pati thënë të hënën, pas takimeve me udhëheqës nga Kosova e Serbia, se është bërë një propozim i ri për daljen nga kriza.

“Jemi të pakënaqur me krizën e tanishme. Ne duhet ta trajtojmë modalitetin e krizës dhe t'i qasemi nga ana strukturore. E kemi paraqitur një propozim. Ky propozim duhet të diskutohet dhe është një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë”.

Faza e parë e zbatimit të vendimit për targat ilegale, që e parasheh shqiptimin e fletëqortimeve, përfundon të hënën. E pas kësaj qytetarët që nuk i konvertojnë targat në RKS pritet që të gjobiten deri në 150 euro.

Mundësia e tensionimeve në veri të Kosovës, me rastin e fillimit të zbatimit të kësaj mase, ka nxitur partnerët ndërkombëtarë që të angazhohen në gjetjen e një zgjidhjeje tjetër, pasi që institucionet e refuzuan kërkesën për shtyrje për edhe 10 muaj.