LAJMET E MBRËMJES

Mjeku ligjor Naim Uka: Ademaj u vra nga një distancë 2 deri në 5 centimetra

Naim Uka - Naim Murseli

Foto: Driton Paçarada

Katër dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria kanë dhënë dëshminë e tyre para trupit gjykues, për vrasjen e Liridona Ademajt. Eksperti mjeko – ligjor, Naim Uka deklaroi se kanë konstatuar se nga një distancë e qitjes prej 2 deri në 5 centimetra është vrarë Liridona Ademaj. E pronari i marketit, ku i akuzuari Murseli dërgoi fëmijët pas ngjarjes tha se Murseli nuk ka pranuar të flasë me policinë në telefon lidhur me rastin.

 

Mjeku ligjor, Naim Uka, gjatë dëshmisë së tij në procesin gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, ka thënë se në bazë të provave mjeko-ligjore distanca e qitjes, nga e cila është vrarë Liridona Ademaj sillet rreth 2 deri në 5 centimetra. 

Ai tha se plaga është përshkruar se ka formë trekëndëshe, e cila është shoqëruar me thyerje të shumëfishta.

“Gjatë ekzaminimit të plagës hyrëse kemi konstatuar përreth vrimës hyrëse prezencën e faktorëve plotësues të qitjes, të cilët kanë shkaktuar djegien lëkurore e është konstatuar se distanca e qitjes sillet prej 2 deri në 5 cm. Edhe në këtë rast, kemi kryer ekzaminimin e dy duarve të të ndjerës, në mënyrë që bazuar në prezencën e duarve të të ndjerës, në mënyrë që bazuar në faktorët plotësues të njollave të gjakut është eliminuar mundësia, që e njëjta të ketë përdorur ndonjë armë, apo të ketë shkaktuar vetëvrasje”, ka thënë Uka.

Eksperti mjeko – ligjor tha se gjatë ekzaminimit të jashtëm trupor, është konstatuar gjakderdhja e mbledhur.

Ai shpjegoi se në rastet kur mungojnë të dhënat preliminare të vendit të ngjarjes, kryhen edhe ekzaminimet e detajuara të shuplakave të duarve të viktimës.

E pyetje drejtuar Ukës, pati i akuzuari kryesor për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli.

“Sipas prokurores, e kam mbajtur bashkëshorten time siç thotë ajo për të mos iu shmangur plumbit, a e thotë raporti juaj”?”, ka pyetur ajo.

“Ka për obligim të bëjë përshkrimin e qartë të çdo dëmtimi trupor, duke përshkruar karakteristikat në bazë të të cilave bëhet interpretimi i provave mjeko – ligjore për prokurorin e shtetit”, ka thënë Uka.

Përveç Ukës, në sesionin e pasdites para trupit gjykues dëshminë e tyre e dhanë edhe tre dëshmitarë të tjerë.

Pronari i marketit, Naim Sadiku ku i akuzuari Naim Murseli kishte shkuar bashkë me fëmijët kur ndodhi rasti, tha se i akuzuari Murseli nuk kishte pranuar të flasë me policinë në telefon, për t’i njoftuar lidhur me rastin.

“Unë i kam thanë Naimit që nuk vij te vendi i ngjarjes, kam hy prapë në market. Fëmijët i ka lanë aty, nuk i kuptojsha se nuk kanë folshin shqip, por që thojshin bam bam. Naimit i kam thanë të kanë plaçkit, por me rëndësi fëmijët janë mirë. Ai më tha, gruaja ka hirr në kerr. E kam thirre policinë prapë i kam njoftu, se ky nuk ka dashtë me fol në telefon me ta”, ka thënë Sadiku.

Dëshmitari tjetër Jeton Binakaj, për të akuzuarin Granit Plava tha se ka qenë klient i rregullt dhe se i akuzuari Plava, ka kërkuar nga ai ta marrë veturën me qira.

Ai tha se me Plavën, pas ngjarjes kanë folur për dy raste të vrasjeve, përfshirë edhe atë të Liridona Ademajt.

Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt, në nëntor të vitit 2023.

Fillimisht ishte raportuar se bëhet fjalë për vrasje si pasojë e grabitjes, e më pas Prokuroria bëri të ditur se gjithçka ishte inskenim.