LAJMET E MBRËMJES

Miratohen disa ligje me procedurë të përshpejtuar, mes tyre edhe ai për Byronë

Seanca e së enjtes nisi me vonesë prej një ore e gjysmë e në fund të saj, deputetët votuan projektligje me procedurë të përshpejtuar, duke shmangur afatet e përcaktuara me rregullore. Mes projektligjeve të miratuara është edhe ai për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Lule e shalle portokalli ishin simbolika e deputetëve për t’u përfshirë në fushatën 16-ditore kundër dhunës në baza gjinore.

Seanca, për të cilën ishin mbledhur të enjten, vonoi të fillonte për një orë e gjysmë.

Pas pritjes së gjatë për zhvillimin e punimeve, deputetët e opozitës e lanë sallën.

E kur kuorumi prej 61 deputetësh u krijua, kryeparlamentari nisi punimet.

Ata miratuan në lexim të parë Projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, në përmbajtjen e të cilit, ministrja Albulena Haxhiu tha se janë adresuar shkeljet e evidentuara nga Gjykata Kushtetuese. 

“Qeveria nuk ka hartuar projektligj të ri por i ka adresuar në mënyrë specifike çështjet që Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar antikushtetuese. Çështjet kryesore lidhen me retroaktivitetin e ligjit pastaj nevojën për qartësi në lidhje me periudhat kohore brenda të cilave byroja shtetërore mund të verifikojë pasurinë e fituar kundërligjshëm. Por gjithashtu përfshin edhe përbërjen e komisionit mbikëqyrës në dritën e garantimit dhe respektimit të parimit të ndarjes së pushteteve”, ka thënë ajo.

Por, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, që u kthye në sallë, projektligjin e vlerësoi antikushtetues edhe pas ndryshimeve të bëra.

“Tani kemi një draft tjetër e kemi lexuar me kujdes dhe themi përsëri qe ky dokument është me elemente antikushtetuese. E para ka të bëjë me drejtorin që përkundër që komisioni i Venecias ka thënë që duhet të udhëhiqet nga një udhëheqje kolegjial Qeveria insiston të drejtohet nga një person i vetëm. Elementi i dytë që mendojmë që cenon rëndë pavarësinë e institucionit është përbërja e komisionit”, ka thënë ai.

Në këtë seancë, ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, prezantoi Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

“Ky projektligj është hapi themelor drejt krijimit të sigurimeve shëndetësore. Ky proces tashmë është i pakthyeshëm. Me ketë liste themelohet fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor. Për here te parë po përcaktohen rregulla për listën për barnat e rimbursueshme. Me ketë projektligj rregullohen edhe çështjet e mbledhjes së kontributeve nga qytetarët për fondin e sigurimeve”, ka thënë Vitia.

Votën për projektligjin e kushtëzoi një deputet i pushtetit, që mori garanci aty për aty nga ministri, se kërkesa e tij do të merret parasysh.

“Projektligji ka përjashtuar viktimat e dhunës seksuale gjate luftës që të lirohen nga pagesa e sigurimit shëndetësor si disa kategori të tjera. Ministër përfshijeni këtë çështje këtu përndryshe do të keni vështirësi ta merrni votën tonë”, ka thënë deputeti Burim Meta.

Më pas, projektligji u miratua në parim.

Votë në lexim të parë iu dha edhe projektligjit për banimin social dhe të përballueshëm.

“Ligji parashikon disa programe të banimit. Banimi social që ofron mundësi qiraje për ata që nuk mund të paguajnë çmimin e tregut. Zhvillimin e lagjeve adekuate, rindërtimin dhe renovimin për ata që jetojnë nën normat minimale të banimit. Dhe banimi i përballueshëm që ofron, banim të përballueshëm për qiftet e reja dhe individët me të ardhura të ulëta dhe mesatare”, ka thënë ministri Liburn Aliu në prezantim të projektligjit.

Të tri këtyre projektligjeve e edhe atij për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, deputetët e LVV-së kërkuan t’u bëhet amendamentimi me procedurë të përshpejtuar, duke i shmangur afatet e përcaktuara me rregullore.

Këto projektligje pas amandamentimit të shpejtë u miratuan edhe në lexim të dytë në vazhdimin e seancës pas disa orëve.