Dhjetë ditë nga fillimi i procesit mësimor, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se ky institucion nuk do t’i furnizojë nxënësit me tekste shkollore. Përgjegjësinë e blerjes së teksteve shkollore ua ka bartur prindërve duke thënë se do t’ua mbulojë koston e tyre. Fajin për këtë dështim Nagavci ua atribuoi shtëpive botuese për vendosjen e çmimeve të larta librave shkollorë.
Ministria e Arsimit ka dështuar të arrijë marrëveshje me shtëpitë botuese për furnizimin e nxënësve me tekstet shkollore.
Në një konferencë për media ministrja Arbërie Nagavci tha se sivjet përgjegjësinë e blerjes së teksteve shkollore do t’ua bartin prindërve.
Nagavci tha se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave paratë për libra do t’ua transferojnë prindërve në xhirollogari bankare pasi ata të kenë aplikuar në sistemin e-Kosova.
“Sivjet jemi duke shqyrtuar mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurinë shtetërore edhe sipas obligimit shtetëror të Ministrisë së Arsimit të bëhet në llogari të prindërve dhe të njëjtit t’i blejnë tekstet. (17:20)... Në vend se mjetet t’u dërgohen nga ana e Ministrisë shtëpive botuese, shtëpitë botuese do t’i dërgojnë tekstet në librari dhe prindërit t’i blejnë tekstet e tyre”, theksoi Nagavci.
Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, njoftoi se negociatat kanë dështuar me shtëpitë botuese për shkak të çmimeve të larta që janë ofertuar.
“Edhe këtë vit kemi zgjedhur ekipin negociues, e cila brenda afateve ligjore dhe kornizave kanë negociuar për çmimin veç e veç për secilin libër. Pas shumë tentimeve për të zbritur çmimin në nivelin e përballueshëm për Ministrinë për furnizimin e nxënësve me tekste shkollore, shtëpitë botuese nuk e kanë pasur mirëkuptimin...Për shembull libri “Shoqëria dhe mjedisi” i klasës së tretë bashkë me fletore të punës kap shifrën 27 euro, ose një libër tjetër i Gjuhës Boshnjake për klasën e katërt kap çmimin 30 euro”, deklaroi Kelmendi.
Ministrja Nagavci tha se nga viti i ardhshëm me ligjin e ri do të rregullojnë çështjen e kostos së librave duke vendosur çmimin tavan.
Me gjithë që nxënësit kanë mbetur pa libra, Nagavci thotë se procesi mësimor më 1 shtator do të fillojë pa asnjë problem.
KOHA javën e kaluar ka raportuar se nxënësit nuk mund të furnizohen me disa tekste shkollore, pasi ende mësimdhënësit nuk kanë bërë përzgjedhjen e librave për disa lëndë për shkak se Ministria nuk i ka shpërndarë katalogët në shkolla.