Pak pas publikimit të këtij artikulli, ministrja Arbërie Nagavci ka njoftuar se të premten do të hapet platforma për aplikim për rimbursim për blerje të librave dhe se shteti do t’i ndajë nga 80 euro për prindërit.
“Ne jemi gati dhe gjithçka është gati, vendimin përfundimtar do ta bëjmë publik nesër pasdite ose më së largu të enjten në mëngjes”. Kështu pati premtuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të martën në televizionin publik, tek po fliste për hapjen e aplikimit në e-Kosova për prindërit që do të përfitojnë nga subvencionimi për blerjen e teksteve shkollore. Por, premtimi i saj të enjten nuk u jetësua.
E tek kanë mbetur vetëm edhe një javë nga fillimi i procesit mësimor, në Këshillin e Prindërve të Kosovës, që të mërkurën patën takim me ministren Nagavci, vlerësuan se koha e shkurtër për gjetjen e një zgjidhjeje mund ta gjejë 1 shtatorin pa libra.
“Ne jemi shumë skeptikë në këtë çështje, ne sa jemi të informuar nga Ministria se të gjithë janë të angazhuar. Por, po shihet që koha është shumë e shkurtër për të bërë një zgjidhje që është e kënaqshme për prindërit. Unë do të isha shumë i kënaqur në qoftë se do të mundem t’i çoj fëmijët me libra në shkollë”, ka thënë kryetari i Këshillit të Prindërve, Besnik Dragusha.
Gjatë së enjtes u mbajt një takim edhe mes shtëpive botuese dhe Ministrisë, porse për përmbajtjen e tij dhe për vonesat në hapjen e aplikimit në MASHTI-i nuk dhanë sqarime.
Por, përfaqësues të shtëpive botuese i thanë KOHËS se ende nuk i kanë furnizuar libraritë me tekste shkollore, pasi janë në pritje të një vendimi të Ministrisë.
10 ditë para nisjes së procesit mësimor, Ministria e Arsimit njoftoi se ka dështuar të arrijë marrëveshje me shtëpitë botuese për blerjen e librave, teksa i akuzoi ato që ofertuan çmime më të larta sesa ato që i kanë vendosur në libraritë e tyre.
Në Ministri nuk treguan as se sa është shuma që është planifikuar të ndahet si subvencion për një nxënës. E KOHA raportoi më herët se kostoja e teksteve shkollore për një nxënës të klasës së parë, sipas çmimeve nëpër librari, është rreth 75 euro.