Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Minatorët nuk zmbrapsen nga kërkesat, sindikalistët kërkojnë zgjidhje urgjente

Greva e minatorëve të “Trepçës”, që hyri në ditën e tetë, ishte temë debati në Komisionin për Ekonomi. Ani se në raportim nuk u paraqit ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me arsyetim se ndodhet jashtë vendit, deputetët e pushtetit i ftuan sindikalistët për t’i dëgjuar arsyet e hyrjes në grevë. Gjatë debatit që zgjati rreth 4 orë, sindikalistët kërkuan me ngulm një zgjidhje urgjente që minatorët t’i japin fund grevës

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk doli të martën për raportim në Komision për Ekonomi, rreth grevës së minatorëve të “Trepcës”, me arsyetimin se ndodhet jashtë vendit.

Deputetë të pushtetit u angazhuan për ta justifikuar mungesën e saj, duke i ftuar për raportim sindikalistët e “Trepçës”.

Mosinformimi për ftesën i kryetarit të Komisionit, Ferat Shala, dhe i anëtarëve të tjerë nga opozita, nxiti përplasje në Komision.

“Është shumë e rëndësishme të dihen disa rrethana që kanë ose jo bazë ligjore. Kjo është e mundshëm në momentin kur ne dëgjojmë përfaqësuesit e sindikatës së Trepçës, arsyet dhe argumentimet pse hynë në grevë pa këshill grevist”, tha anëtarja e Komisionit nga radhët e VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

“Të gjitha këto që po i ngrini ju, ne është dashur t’i marrim nga ministrja e linjës. Po e shoh tash që jeni bërë zëdhënëse e Qeverisë, por nuk mundemi kështu”, tha kryetari i Komisionit, Ferat Shala i PDK-së.

Edhe Rizvanolli s’shkon në raportim për grevën në “Trepçë”, përplasen pushteti e opozita Arbëri Rizvanolli s’shkon në raportim për grevën në “Trepçë”, përplasen pushteti e opozita

Anëtarët më pas u dakorduan t’i dëgjojnë sindikalistët, por në debatin pasues nuk munguan tonet e ashpra dhe ngjyrimet politike, ani se nga sindikalistët u kërkua që çështja të mos politizohet.

Kryetari i Sindikatës, Ibrahim Januzi, e shprehu vendosmërinë e minatorëve për ta vazhduar grevën deri në plotësim të kërkesave për mosvonesa të pagave dhe për shkarkim të ushtruesit të detyrës së kryeshefit, Enis Abdurrahmani.

“Kjo duhet të shkojë përtej politikës, që të gjendet një zgjidhje, sepse është obligim i yni dhe i juaji. Janë ato tri kërkesa që nuk kanë ndryshuar”, tha Januzi.

“Shpëtoni jetën e minatorëve. Për çështjen e minatorëve lini inatin, sepse minutat janë në pyetje dhe jo orët”, tha minatori Sami Peci.

“Gjithkund bëhet politikë veç në ‘Trepçë’ jo. Kemi përvojë edhe me sindikatat e mëhershme e qeveritë, minatorët punojnë, politikë nuk bëjnë”, tha ish-kryetari i Sindikatës, Gani Osmani.

Por, politika nuk mungoi. Deputetët nga pushteti e ata nga opozita fajësuan njëri-tjetrin për situatën në “Trepçë”.

“Sa i përket shkarkimit të menaxhmentit, duhet të japë leje mbreti, sepse nuk ka mundësi të shkarkohet ai menaxhmenti pa dhënë pëlqimin mbreti tyre, Albin Kurti”, tha deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, anëtare e Komisionit.

Edhe Qeveria kushtëzon ndihmën për “Trepçën”, reagon Sindikata e Punëtorëve LAJMET E MBRËMJES Qeveria kushtëzon ndihmën për “Trepçën”, reagon Sindikata e Punëtorëve

Në mbledhje pati përplasje edhe mes deputetëve të opozitës dhe Drejtorit të Njësisë për Ndërmarrje Publike në Ministri të Ekonomisë, Valon Prebeza. (EFEKT)

Në fund, deputetë nga Vetëvendosja refuzuan që Komisioni të përcjellë rekomandim Qeverisë për shkarkimin e kryeshefit, duke u zotuar që atë ta adresojnë te instancat kompetente për evitimin e vonesave në trajtim.