Sikurse çdo vit, edhe këtë herë Prekazi ishte i mbushur plot me qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare në nderim të rënies heroike të familjes Jashari 25 vjet më parë. Ata vlerësuan lart veprën e qëndresën e kësaj familjeje dhe ftuan institucionet të bëjnë më shumë për të. Homazhe në kompleksin memorial të hënën bënë edhe liderët e shtetit, kryetarët e partive, si dhe përfaqësues shqiptarë nga vendet e rajonit
Mijëra qytetarë nga Kosova e më gjerë të hënën iu drejtuan Prekazit. Në nderim të 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, rënies së komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, u bënë homazhe si dhe u vizitua kompleksi memorial.
Derisa rëndësinë e veprës së familjes Jashari e konsiderojnë jetike për lirinë që gëzon Kosova, qytetarët thonë se nderimi për ta nuk është i mjaftueshëm.
"S`di ta vlerësoj me fjalë. Vlerë më të madhe nuk ka për Kosovë për shqiptari”, ka thënë një qytetar.
Ndërsa një qytetar tjetër ka deklaruar se kjo është liria e Kosovës.
E një qytetar tjetër ka thënë se në botë s’ka familje si ajo Jashari.
“Nuk është pak me i dhanë 50 anëtarë me i shkri vetëm familja e tij që e ka bo. Krejt botën nuk ka familje që kanë bo çka kanë bo Ademi me Familje. Lumet këta për veti, por mjerët na që jemi. Na duhet me u kujdes ma shumë për ta”, është shprehur ai
Vizitat në përvjetorë thonë se është më e pakta që mund të bëhet.
“Po vallahin edhe herën e parë kur e kem ditë këtu jam kanë edhe sa të më punojnë kamt ka me ardhë më i vizitu”, ka thënë një qytetar.
E një tjetër ka thënë se vepra e familjes Jashari e ka kthyer Kosovën aty ku duhet. “Vepra e tij e ka kthy Kosovën aty ky duhet se mos të ish kanë familja Jashari me siguri Kosova do të kishte përfundu si Vojvodina edhe do të ishte shu. I kem borxh brez pas brezi me ardhë me i kujtu edhe mos me harru veprën gjakun që e kanë derdhë për Kosovën”, ka deklaruar ai.
Vizitorë kishte edhe nga Shqipëria, e të cilët thanë se kanë njohur për së afërmi Adem Jasharin e veprën e tij.
“Ne do të jemi përherë në Prekaz pasi kemi një lidhje të ngushtë me ata trima që morën guximin dhe thyen kufirin shqiptaro-shqiptar”, ka thënë një qytetar nga Shqipëria.
Familja Jashari u përkujtua edhe nga liderë të shtetit e udhëheqës partish.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se datat 5, 6 dhe 7 mars shënojnë ditët kur ka lindur liria e Kosovës. “Qytetarët tanë si çdo shqiptar tjetër i konsiderojmë obligim për të ardhur këtu në Prekazin e lavdisë së familjes Jashari për të treguar respektin tonë të përjetshëm, vlerësimin e pafundmë për sakrificën e tyre titanike e cila i dha drejtim luftës çlirimtare të UÇK-së që mundësoi edhe masivizimin e radhëve të UÇK-së, por edhe rrugën e çlirimit për ta gëzuar lirinë që e kemi sot”, ka theksuar Krasniqi.
Ndërsa kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka theksuar se mbi sakrificën e familjes Jashari qëndron rrugëtimi i ardhshëm i Kosovës, për një shtet të barabartë në mes të vendeve evropiane.
“Mbi sakrificën ultime të komandantit Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë të rënëve të tjerë të UÇK-së qëndron edhe rrugëtimi ynë i ardhshëm për një shtet të barabartë në mes të vendeve evropiane dhe këtë rrugë në këtë ditë duhet ta kujtojmë gjithnjë edhe si shenjë uniteti të brendshëm, por edhe si përpjekje të pashtershme të popullit tonë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Nderime bënë edhe politikanë nga Maqedonia e Veriut.
Krahas homazheve e aktiviteteve të tjera, ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat e vendit të hënën i është kushtuar Epopesë së UÇK-së.