Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, i cili po qëndron në Budapest për vizitë zyrtare, deklaroi se ka marrë përkrahje dhe mirëkuptim nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, për situatën në veri të Kosovës. E, për përkrahjen që mori në Budapest, Vuçiqi premtoi Hungarisë se do t'ia sigurojë dërgesat për gazin natyror rus nëse Ukraina ndërprenë marrëveshjen për transitin e gazit me Rusinë.
Përkrahje e mirëkuptim nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, thotë të ketë marrë presidenti serb, Aleksandar Vuciq, për situatën në veri të Kosovës.
Vuçiqi u takua në Budapest me kryeministrin Orban, ku i quajti të afërta raportet mes dy popujve.
“Do të kemi mirëkuptim më të mirë dhe më të madh se 20-25 vjet më parë dhe ai trend i mirëkuptimit të ndërsjellë do të vazhdojë, sepse ne sillemi si miq të ngushtë dhe të ndershëm”, ka thënë Vuçiqi.
E duke iu referuar akuzave nga Mali i Zi se Beogradi ka kërcënuar Podgoricën për njohjen e Kosovës, Vuçiqi tha se nuk duhet të presin mirënjohje shtetet që krijojnë marrëdhënie diplomatike me Kosovën.
“Nëse ndahet Ulqini apo Plava, ne do ta pranojmë menjëherë, dhe nëse nuk na dërgoni shampanjë për këtë veprim, ne duhet ta marrim atë si kërcënim? Është njëjtë sikur kur Kurti shkakton trazira, e ata thonë se Kurti nuk është fajtor, por Vuçiqi që s’e ka pranuar Kosovën. Ne ta kërcënojmë Malin e Zi? Çfarë budallallëqe janë këto, as që na shkon në mendje kjo”, ka shtuar ai.
E për përkrahjen që mori në Budapest, Vuçiqi i premtoi Hungarisë se do t'ia sigurojë dërgesat për gazin natyror rus nëse Ukraina ndërprenë marrëveshjen për transitin e gazit me Rusinë.
Ky lobim i Serbisë, sipas analistit, Visar Xani, mund të ndalet vetëm me angazhimin për avancimin e procesit të dialogut
“Serbia ka marrëdhënie të avancuara me Hungarinë dhe një deklaratë e tillë mbase është e pritshme, por kjo për Kosovën i mbetet angazhimi me qëllim të koordinimit të plotë me faktorin ndërkombëtar dhe të ketë një proces të shpejtë të dialogimit dhe të mos i japë mundësi edhe më shumë që Serbia të vazhdojë lobimin e saj kundër Kosovës dhe të dëmtojë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Xani.
Presidenti i Serbisë është duke qëndruar në Budapest në ditën kur ky shtet shënon përvjetorin e themelimit.
Përveç tij, kryeministri Orban ka pritur edhe liderin e Turqisë, presidentin Tayip Erdogan, atë të Katarit dhe një mori vendesh të Azisë Qendrore, duke zbatuar strategjinë e tij diplomatike për “hapje lindore”, e cila mbështetet në partneritetin me vende si Rusia e Kina e përkrahësit e tyre.