LAJMET E MBRËMJES

Mbyllet kompania paralele serbe e ujësjellësit në Mitrovicë të Veriut

Me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike është mbyllur të martën kompania paralele serbe e ujësjellësit “Ibar” në Mitrovicë të Veriut. Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka kualifikuar veprimin si hap konkret që i shërben sundimit të ligjit. Porse ankesa kanë shprehur përfaqësues të Listës Serbe, si dhe ministri i Jashtëm i Serbisë

Me asistencë të Policisë së Kosovës dhe me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë së Ekonomisë është mbyllur të martën një institucion, i cili ka vepruar në veri në kuadër të sistemit paralel serb.

Pas aksionit të nisur në orët e hershme të mëngjesit të së martës, puna i është ndalur kompanisë paralele serbe të ujësjellësit “Ibar” në Mitrovicë të Veriut.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka kualifikuar veprimin si një hap në funksion të sundimit të ligjit teksa i ka njoftuar qytetarët se tani shërbimet e ujësjellësit do të ofrohen nga kompania rajonale e ujësjellësit “Mitrovica”.

“Ky është një hap konkret që u shërben sundimit të ligjit dhe funksionalizimit të shërbimeve publike nga institucionet e shtetit tonë. Në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në janar të këtij viti mes KRU ‘Mitrovicës’ dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut, shërbimet e rregullta e më cilësore për qytetarët e Komunës së Mitrovicës së Veriut do të ofrohen nga KRU ‘Mitrovica’, me standarde më të larta dhe në përputhje të plotë me ligjet tona”, ka shkruar ajo në Facebook.

Lidhur me mbylljen e këtij institucioni kanë reaguar menjëherë nga Lista Serbe (LS), parti e serbëve të Kosovës që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, duke iu drejtuar komunitetit ndërkombëtar në Kosovë me anë të një letre të hapur.

“Ky akt përfaqëson një tjetër në vargun e veprimeve të njëanshme dhe provokuese, të cilat në vend se të kontribuojnë në stabilizimin e situatës, thellojnë tensionet dhe shkaktojnë frikë të justifikuar te popullata”, thuhet në letrën drejtuar ambasadave të vendeve të QUINT-it, Bashkimit Evropian, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR. “Qytetarët janë me të drejtë të shqetësuar për sigurinë dhe furnizimin e rregullt me ujë, veçanërisht të institucioneve shëndetësore dhe konvikteve studentore. Nëse veprime të tilla vazhdojnë, ekziston rreziku real për pasoja serioze humanitare dhe shëndetësore”, thuhet më tej në letër e të cilën kjo parti e ka shpërndarë për media.

Në letrën e kryetarit të LS-së, Zllatan Elek, institucioneve ndërkombëtare u është bërë thirrje për reagim.

“U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve relevante, si dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, të reagojnë pa vonesë, të parandalojnë lëvizjet e mëtejshme të njëanshme dhe të sigurojnë respektimin e plotë të të drejtave dhe sigurisë së popullsisë serbe, si dhe funksionimin e qetë të shërbimeve publike”, thuhet në letër.

Reagim ka pasur edhe në Serbi. Ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq, e ka quajtur veprim akt provokues të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Ky akt provokues i njëanshëm, i cili pa dyshim u krye me dijeninë dhe miratimin e Kurtit, mund të ketë pasoja të rrezikshme për stabilitetin e furnizimit me ujë të popullsisë serbe në pjesën veriore të Mitrovicës. Veçanërisht shqetësues është fakti se furnizimi me ujë i spitalit që vepron në qytet brenda sistemit shëndetësor serb është i rrezikuar, si dhe ai i shkollave dhe kopshteve”, ka thënë Gjuriq.

Autoritetet shtetërore në Kosovë i konsiderojnë institucionet e Serbisë për komunat në Kosovë si paralele dhe ilegale, dhe ka nisur mbylljen e tyre në fillim të vitit 2024.

Deri më tani, për shkak të “aktivitetit të paligjshëm” ose “falsifikimit të dokumenteve” – siç e përshkruan Prokuroria e Kosovës punën e institucioneve serbe – janë mbyllur organet komunale të përkohshme, qendrat për punë sociale, Posta e Serbisë, Banka Kursimore Postare, Fondi i Sigurimit Pensional, Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe institucione të tjera.