LAJMET E MBRËMJES

LDK-ja shpalos agjendën 15-pikëshe për Qeverinë që s’e do askush

Tek e ka prezantuar agjendën të enjten, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se formimi i Qeverisë së Unitetit, që do të funksiononte deri në pranverën e vitit të ardhshëm, është mundësia më e mirë për kapërcimin e krizës aktuale politike. Ai ka thënë se kjo qeveri duhet të drejtohet nga një figurë unifikuese, teksa e ka përjashtuar veten si opsion për udhëheqjen e këtij ekzekutivi

Me thirrjen për bashkimin e partive, kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka prezantuar të enjten agjendën 15-pikëshe me të cilën do të funksiononte Qeveria e unitetit kombëtar që ai e pati propozuar si rrugëdalje nga ngërçi politik disamujor.

Abdixhiku ka vlerësuar se formimi i Qeverisë së unitetit, e cila do të ishte në funksion deri në pranverën e vitit të ardhshëm, është mundësia më e mirë për kapërcimin e krizës aktuale politike.

Ai ka thënë se kjo qeveri duhet të drejtohet nga një figurë unifikuese, teksa e ka përjashtuar veten si opsion për udhëheqjen e këtij ekzekutivi.

“Na duhet një udhëheqës i një qeverie të unitetit që e përfaqëson unitetin, që do të thotë se kryetarët e partive do të duhej menjëherë ta përjashtonin veten nga një proces i tillë, derisa pjesëmarrësit në dikasteret e që merren ekskluzivisht me pikat e kësaj agjende, do të duhej të jenë profesionistë edhe të partive të tjera”, ka theksuar ai gjatë shpalosjes së agjendës.

Në 15 pikat e saj, agjenda e LDK-së përfshin funksionalizimin e institucioneve kushtetuese dhe departiartizimin e institucioneve të pavarura, rritjen e pagave dhe zbatimin e Ligjit për Pagën, pakon emergjente për menaxhimin e krizës energjetike, fillimin e projektit kombëtar për gazifikimin e Kosovës, rindërtimin e partneritetit me Bashkimin Evropian (BE) e me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe rikthimin e politikës së jashtme aktive, votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, fillimin e procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë, fillimin e projekteve me rëndësi të veçantë për vendin, ndryshimet kushtetuese në funksion të stabilitetit institucional, hartimin e strategjisë kombëtare për reformë të thellë në arsim, përgatitjen institucionale për Lojërat Mesdhetare, reformën strategjike të sigurisë dhe mbrojtjes, rishikimin e formulës për buxhetin e komunave dhe ndryshimet e nevojshme, përgatitjen për zgjedhje të rregullat dhe të lira demokratike brenda 10 muajve, si edhe mekanizmin e transparencës dhe llogaridhënies për periudhën kalimtare.

Në rrafshin e politikës së jashtme, Abdixhiku ka thënë prioritet do të jetë rivendosja e marrëdhënieve strategjike me aleatët euroatlantikë.

“Në këtë drejtim do të përgatitet një platformë unike e të gjitha partive politike shtetërore për dialogun me Serbinë, e ndërtuar mbi dakordimin e brendshëm politik dhe në koordinim me aleatët ndërkombëtarë, duke vënë në fokus kushtetutshmërinë e Kosovës, integritetin territorial dhe sovranitetitn e plotë të Republikës së Kosovës...”, ka theksuar ai.

E lidhur me pikat e agjendës që kanë të bëjnë me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, nisjen e vetingut në drejtësi dhe reformën kushtetuese, Abdixhiku ka theksuar se janë të nevojshme në mënyrë që të mos përsëriten bllokadat institucionale.

“...që nesër, pasnesër të mos vijmë në situata të tilla, kur mblidhemi vazhdimisht pa një rezultat. Bëjmë një reset institucional kushtetues të Kosovës brenda një periudhe të shkurtër”, është shprehur ai.
Abdixhiku ka përmendur edhe fillimin e reformës në arsim, përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, rishikimin e sektorit të sigurisë e të mbrojtjes, rishikimin e formës për buxhetin e komunave, reformimin e procesit zgjedhor e themelimin e një mekanizmi për zbatimin e agjendës së prezantuar për qeverinë tranzitore.

Propozimi i Abdixhikut, i paralajmëruar kohë më parë, është adresuar pasi që vendi është zhytur në krizë politike, duke mos mundur t’i formojë institucionet e reja as katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Kriza ka ndodhur për shkak se asnjë parti nuk e ka fituar shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme. Që prej prillit, deputetët janë mbledhur plot 30 herë në Kuvend në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë, që është hap i nevojshëm drejt krijimit të qeverisë së re, porse kanë dështuar vazhdimisht pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur që t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë detyrë.

Për ketë shkak, LDK-ja ka propozuar formimin e një qeverie kalimtare me të gjitha partitë parlamentare, deri në zgjedhjen e presidentit të ri në prillin e vitit të ardhshëm. Por Vetëvendosje e ka kundërshtuar këtë ide ndërsa në Partinë Demokratike (PDK) ka thënë se e preferojnë një ekzekutiv mes partive që mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë. Një koalicion të këtillë e kanë preferuar edhe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

LDK-ja ka pasur ofertë nga LVV-ja për formim të koalicionit qeverisës, porse e ka refuzuar teksa Abdixhiku të enjten e ka përsëritur këtë kundërshtim.

“Për shkak të katër vjetëve të fundit, për shkak të printimeve elektorale dhe për shkak të dallimeve thelbësore që i kemi në vlera, ky bashkëpunim ka qenë dhe është i pamundur”, ka thënë ai.

Deputetët do të mblidhen sërish të premten, në përpjekjen e 31-të për ta bërë Kuvendin.

Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar gjatë javës se vonesa në konstituim të Kuvendit i dëmton kredibilitetin e institucioneve dhe përparimin e Kosovës drejt agjendës euroatlantike.

Edhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it - SHBA, Britani e Madhe, Itali, Francë e Gjermani - si dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, janë takuar ditë më parë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar formim të shpejtë të institucioneve, për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës.