Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka prezantuar planin 15-pikësh për “Qeverinë e Unitetit Kombëtar”, që ka thënë se do të zgjasë deri në zgjedhjen e presidentit.
Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon në fillim të vitit 2026.
Në një konferencë për media të enjten, kryetari i LDK-së ka thënë se “Qeveria e Unitetit Kombëtar” ka periudhë kalimtare.
“...është deri në zgjedhjen e presidentit dhe do të fokusohej në 15 pika themelore”, shtoi ai.
Si pikë e parë, Abdixhiku e përmendi funksionalizimin e institucioneve kushtetuese dhe do të merrej me departizimin e insticucioneve.
“Pjesë do të jetë edhe riformatimi i plotë i bordeve të ndërmarrjeve publike. Besojmë se pa interferime partiake u japim frymë ndërmarrjeve”, ka thënë Abdixhiku.
Me këtë plan, kryetari i LDK-së ka thënë se parashihet të ketë rritje pagash.
Gjithashtu me këtë plan, siç thotë Abdixhiku, parashihet heqja e TVSH-së për çdo faturë të energjisë elektrike.
“Zgjidhje do t’i jepej edhe krizës së tanishme”, ka thënë ai.
Në plan, Abdixhiku përfshiu edhe vettingun në drejtësi, rindërtimin e raporteve me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara dhe ndër të tjera, nisjes e projektit kombëtar për gazifikimin e Kosovës.
Agjenda 15-pikëshe e LDK-së:
- Funksionalizimi i institucioneve kushtetuese. Qeveria e unitetit do të merret me departizimin e institucioneve. Pjesë do të jetë edhe riformatimi i plotë i bordeve të ndërmarrjeve publike. Besojmë se pa interferime partiake u japim frymë ndërmarrjeve.
- Dakordimi i plotë për rritjen e pagave dhe zbatimin e ligjit.
- Pakoja emergjente për menagjimin e krizës energjetike dhe heqja e TVSH-së për çdo faturë të energjisë elektrike. Zgjidhje do t’i jepej edhe krizës së tanishme.
- Nisja e projektit kombëtar për gazifikimin e Kosovës. Qeveria e unitetit s’mund të bëjë gjithë gazifikimin, por do të nisë projektin dhe të dakordohemi që projekti të vazhdojë pas zgjedhjeve të reja të pranverës së 2026.
- Rindërtimi i raportit me BE-në dhe SHBA-në. Kthimi i besimit politik përmes një qasje të përgjegjshme shtetërore është prioritet i Qeverisë së Unitetit. Do të përgatisim platformë unike nga të gjitha partitë për dialogun me Serbinë. Ristrukturim i plotë i shërbimit diplomatik që është në kolaps të plotë pas 4 vjetëve të qeverisjes.
- Brenda një shumice të tillë do t’i votonim marrëveshjet ndërkombëtare.
- Vettingu në sistemin e drejtësisë.
8 . Fillimi i projekteve me rëndësi jetike për Kosovën.
9. Do të flasim për reformën kushtetuese në funksion të stabilitetit. Do të trajtonim edhe këtë praktikë që po kalojmë, se a do të duhet të kemi ndryshime kushtetuese. Pra të bëjmë një reset kushtetues.
10. Hartimi i strategjisë kombëtare për reformë të thellë në arsim.
11. Përgatitja për lojërat mesdhetare që po vijnë, e që janë në rrezik.
12. Reforma strategjike e sigurisë dhe mbrojtjes.
13. Rishikimi i formulës për buxhetin e komunave.
14. Përgatitja për zgjedhje brenda 10 muajve.
15. Mekanizmi i transparencës për periudhën kalimtare. Do të themelonim një mekanizëm monitorues mbi zbatimin e kësaj formule
