LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Të padrejta masat e BE-së, s’ka kompromis me kushtetutshmërinë e vendit

Kryeministri Albin Kurti ka thënë të dielën se nuk do të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendi, pasi Bashkimi Evropian vendosi masa ndaj Kosovës. Ai këto masa i quajti të padrejta, pasi siç tha ai, Kosova ka treguar më shumë gatishmëri sesa Serbia për normalizimin e marrëdhënieve.

Të padrejta i ka quajtur kryeministri Albin Kurti, masat e vendosura nga Bashkimi Evropian, nën arsyetimin se ekzekutivi kosovar nuk ka ndërmarrë hapat që i janë kërkuar për uljen e tensioneve në veri.

Kurti tha se Kosova është shteti më pro-evropian dhe progresist.

Teksa shtoi se nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit.

“Sido që të jetë ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë që nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit as me kushtetutshmërinë e vendit tonë andaj ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma evropiane të jenë të plota për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”, ka thënë Kurti

Kurti deklaroi se Kosova është më e interesuar sesa Serbia për normalizim të marrëdhënieve.

“Ne jemi të gatshëm, të interesuar shumë më tepër sesa pala tjetër për normalizim me njohje de facto në qendër, për njohje reciproke, por gjithashtu jemi të interesuar dhe të gatshëm për deeskalimin e gjendjes për çfarë unë kam folur edhe publikisht në të gjitha gjuhët që i di në mënyrë që të kemi paqe e qetësi në veri të Kosovës, por edhe Kosova e Serbia si dy shtete të ndërtojnë fqinjësi të llojit evropian”, ka shtuar Kurti.

Për masat e vendosura nga BE-ja opozita ka fajësuar ekzekutivin.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se Kryeministri Albin Kurti po e izolon Kosovën nga jashtë, duke i sjellë edhe sanksione nga aleatët kryesorë.

Ai ka thënë se Kurti po keqqeveris nga brenda, duke e vështirësuar mirëqenien dhe jetën e qytetarëve.

“Pas përjashtimit të Ushtrisë së Kosovës nga stërvitja e NATO-s, ‘Defender Europe 23’, tani edhe Bashkimi Evropian ka konfirmuar një sërë sanksionesh për vendin tonë, si pasojë e një qeverie aventuriere, e cila ka zgjedhur konfrontimin me aleatë, pas dështimit në çdo sektor përmes qeverisjes jokompetente. Me veprimet e tij, ky kryeministër i papërgjegjshëm po e vendos Kosovën në hartën e vendeve të sanksionuara ku, nga Evropa, bëjnë pjesë vetëm Rusia, Bjellorusia, Moldavia e Republika Srpska”, ka thënë Krasniqi.

E kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se politika e ekzekutivit të tanishëm penalizon vendin në anëtarësime.

“Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht sesa sot. Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje sesa tani, ka deklaruar Abdixhiku”.

Interes kombëtar e ka cilësuar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkimin e Qeverisë Kurti.

“Prandaj sot është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie. Hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi”, ka thënë Haradinaj.

Ndonëse në BE nuk përdoret termi sanksione, masat janë sanksione në kuptimin e plotë të fjalës, ngase me to suspendohen takimet e komisioneve të përbashkëta, suspendohen programet e IPA-s e pezullohen edhe hapat për shqyrtimin e projekteve që ka dorëzuar Kosova për financim nga Korniza e investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Ato po ashtu përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së komisioneve të përbashkëta në mes të BE-së dhe Kosovës, të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, mosdërgimi i ftesave zyrtarëve të Kosovës për takime të nivelit të lartë, suspendimi i vizitave bilaterale etj.

Sanksionet ndaj Kosovës, të cilat së pari i kishin propozuar lehtësuesit e dialogut, tashmë kanë hyrë në fuqi dhe po zbatohen, ndërsa formalisht u janë komunikuar autoriteteve të Kosovës që nga 28 qershorit, kanë konfirmuar në selinë e Bashkimit Evropian.