Gjurmë të çizmeve e pranga plastike kanë gjetur institucionet e sigurisë në Leposaviq, pas kidnapimit të mërkurën të të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Këto fakte dhe të tjera nga zona ku ka ndodhur ngjarja i ka prezantuar kryeministri Albin Kurti, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë. Sipas Kurtit, të vërtetën e Qeverisë se arrestimi ndodhi brenda territorit të Kosovës e di edhe KFOR-i. Ai ka shprehur habinë për mosreagimin e forcës së NATO-s, e cila ka mandat që ta garantojë sigurinë përreth kufijve të vendit
Kryeministri Albin Kurti ka shprehur të enjten habinë për mosreagimin nga KFOR-i, pas kidnapimit të mërkurën të të tre zyrtarëve policorë të Kosovës në Leposaviq.
Ai, në një konferencë për shtyp të mbajtur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ka theksuar se ka pasur mungesë të bashkëpunimit me forcën që i ruan kufijtë, ani se “KFOR-i e ka vizituar zonën ku ka ndodhur arrestimi i zyrtarëve policorë”.
“Në vendin e ngjarjes kanë qenë KFOR-i, ka qenë Policia e Kosovës dhe aty janë gjetur edhe gjurmët e çizmeve dhe këpucëve të huaja e në drejtim të Serbisë, por janë gjetur edhe prangat lidhëse plastike. Pra, si është e mundur që ata pretendojnë se janë arrestuar nga policia në Serbi kur lidhëset e tyre të plastikës, si pranga, janë pikërisht në këtë vendin ku po themi ne”, ka thënë Kurti, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, në të cilën është marrë vendim për rritjen e kontrolleve në pikat kufitare me Serbinë.
Kryeministri Kurti ka shpalosur hollësi nga biseda e zhvilluar të mërkurën në mbrëmje me emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabirel Escobar, dhe me ambasadorin e këtij shteti, Jeffrey Hovenier. Ai ka thënë se ka kërkuar prej tyre që KFOR-i t’iu vërë në dispozicion informacionet e nevojshme, para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë. Por ai ka theksuar se nga kjo instancë nuk ka pranuar asnjë informacion.
“Ne me partnerët tanë i ndajmë informatat, mirëpo heshtja e tyre besoj që nuk i kontribuon as deeskalimit, as hetimit, as drejtësisë. Nuk ka kuptim që për një ngjarje në territorin e Kosovës, e dihet që Kosova është shtet me sipërfaqe relativisht të vogël, as të nesërmen të mos kemi kurrfarë deklarate zyrtare. Dhe, po, mund të jetë edhe shkelje e Rezolutës 1244. Por është komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, Ristuccia, i cili për çdo deklaratë e përmend nja dy herë Rezolutën 1244”, është shprehur ai. “Cili është kuptimi që të nesërmen e një ngjarjeje, e cila nuk ishte në mbrëmje, por në mesditë, KFOR-i ende nuk del me shpjegim zyrtar se ku është ky vend. Ky vend qartazi është në Republikën e Kosovës dhe e dini çfarë, edhe në këtë moment ne jemi në atë vend, nuk është Serbia, edhe automjeti, edhe ushqimi që kanë ngrënë policët, gjithçka është thellë në territorin e Kosovës”, ka shtuar Kurti.
Ai ka publikuar edhe disa fotografi të hartës nga vendi ku janë kidnapuar të tre policët. Kurti ka bërë të ditur se vendi ndodhet një kilometër, 300 metra dhe 670 metra larg prej kufirit, në thellësi të territorit të Kosovës.
“Në të njëjtën kohë, këtu kemi edhe fotografitë e rrugës së prerë, në të cilën shihet qartazi se nuk kanë mundur këta të kalojnë tutje siç pretendon Serbia, që paskan shkruar në Serbi dhe atje qenkan arrestuar. Pra, nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi, por bëhet fjalë për kidnapim në Kosovë dhe kjo rruga e prerë këtu është bërë për t'i ndalur këto 16 shtigjet ilegale të kontrabandës, që janë bërë gjatë vitit të kaluar dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë kalimi të policisë përtej kufirit të Serbisë siç pretendohet, madje as përtej rrugës së prerë, e cila ndodhet 1 kilometër, 670 metra dhe 300 metra”, ka thënë Kurti.
E ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka kualifikuar kidnapimin e policëve të Kosovës si një akt të hakmarrjes së Serbisë, pas arrestimit të Milun Milenkoviqit, njërit prej udhëheqësve të formacionit paralel në veri, “Mbrojtja Civile”.
“Të acaruar nga prishja e planeve të tyre, nga puna jonë për ruajtjen e rendit dhe ligjit në vend dhe vënia para drejtësisë e këtyre kriminelëve, Beogradi ndërmori një hap të papranueshëm dhe të dënueshëm, duke kidnapuar tre zyrtarë tanë policorë. Kidnapimi i ndodhur ditën e djeshme është zhvilluar sipas një plani të planifikuar nga Njësiti Special Anti-terror në kuadër të xhandarmërisë së Serbisë (SAJ - Specijalna antiteroristička jedinica) dhe Njësiti Special i Ushtrisë së Serbisë ‘Kobra’, në zonën kufitare Bare–Tresave (Leposaviq)”, ka thënë Sveçla. “Ditën e djeshme kam vizituar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja, i cili ndodhet rreth 1 kilometpr brenda kufirit tonë. Bëhet fjalë për një rrugë ku më herët ka pasur kontrabandë dhe pikërisht ajo rrugë është bllokuar nga ana jonë. Pra, rruga është e ndarë në mes, me dy gropa të njëpasnjëshme dhe ka qenë e pamundur që policët të kalojnë në territorin e Serbisë, ashtu siç propaganda e Beogradit thotë. Kjo është pastër një deformim i ngjarjeve në terren, për t’i ikur përgjegjësisë së tyre, realisht planit të tyre për kidnapim”.
Duke folur rreth veriut, kryeministri Kurti ka thënë se situata në këtë pjesë të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë, nuk do të përshkallëzonte sikur Bashkimi Evropian (BE) t’i qëndronte pas zotimit të dhënë një ditë para takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të mbajtur në Ohër, se “Lista Serbe” do të merrte pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok. Ai e ka quajtur të padrejtë presionin mbi kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemi, të zgjedhur nga procesi elektoral i bojkotuar nga Lista Serbe dhe serbët lokalë, për ta liruar objektin komunal, brenda të cilit ndodhet që prej 29 majit.
KOHA të enjten ka provuar që të marrë një qëndrim nga KFOR-it, porse nga kjo forcë nuk kanë kthyer përgjigje.
E pas konferencës për shtyp, kryeministri Kurti ka vizituar familjarët e të tre policëve të rrëmbyer – Beqir Sefa, Rifat Zeka dhe Shemë Mustafa.
Bazuar në komunikatën e lëshuar nga Qeveria, Kurti i ka njoftuar familjarët se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në kontakt me institucionet serbe “në përpjekje për të marrë sa më parë dhe sa më shumë informacione për gjendjen e policëve të rrëmbyer”.
“Ata e falënderuan kryeministrin për vizitën, si dhe për qëndresën e tij. Kryeministri ritheksoi se Republika e Kosovës është në të drejtën e saj dhe se dëshmitë që posedojnë institucionet e vendit dokumentojnë se zyrtarët e Policisë së Kosovës ishin brenda territorit të Republikës”, është thënë në komunikatë. Aty është theksuar gjithashtu se policët ishin në nivel detyre në luftim të kontrabandës, në pjesën ku më herët janë mbyllur 16 rrugë ilegale.