LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Po bëjmë çdo gjë për lirimin e tre policëve tanë të kidnapuar

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se autoritetet e Kosovës janë duke bërë çdo gjë për t’i liruar tre policët kosovarë që u kidnapuan nga forcat serbe në Leposaviq më 14 qershor. Ai pas inaugurimit të punimeve në Sallën Sportive në Ferizaj të dielën, bëri të ditur se javën e ardhshme shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd pritet t’i vizitojë tre policët. E Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje presidentit Aleksandar Vuçiq, që t’i lirojnë pa kushte dhe menjëherë tre policët.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se gjatë javës së ardhshme pritet që shefi i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, t’i vizitojë tre policët e kidnapuar.

Kreu i ekzekutivit theksoi se autoritetet e Kosovës janë duke bërë çdo gjë për t’i liruar tre policët kosovarë që u kidnapuan nga forcat serbe në Leposaviq më 14 qershor.

Ai përsëriti edhe një herë thirrjen për ndërkombëtarët, që ta dënojnë agresionin e Serbisë.

“Ftojmë edhe njëherë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë agresionin e Serbisë më 14 qershor, kur njësitet e tyre speciale ushtarake e policore rrëmbyen policët tanë, njësiti antiterror dhe ai ‘Kobra’ i ushtrisë... Sipas të gjitha gjasave, në bazë të lajmeve që kemi, në fillim të javës që vjen, ambasadori Jetish Jashari, që përndryshe është shef i Zyrës ndërlidhëse në Beograd të Kosovës, do të arrijë t’i vizitojë tre policët tanë”, ka thënë Kurti.

Të dielën pas inaugurimit të punimeve dhe zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë në Sallën Sportive “Bill Clinton” në Ferizaj Kurti, nuk është përgjigjur nëse ka vendosur për takimin e thirrur nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Qeverisë serbe që të lirojë “menjëherë dhe pa kushte” tre policët.

“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe Qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës, të ndaluar më 14 qershor. Arrestimi i tyre dhe vazhdimi i mbajtjes nën akuza të pabaza ka përkeqësuar situatën edhe ashtu të tensionuar. Sërish u bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që ta ndjekin planin trepikësh të propozuar nga BE-ja dhe t’i kthehen dialogut të lehtësuar nga BE-ja, pa vonesa”, ka thënë Matthew Miller, zëdhënës në DASH.

E zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu, në një postim në Twitter ka thënë se i merr shumë seriozisht ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në veri të Kosovës.

Ajo ua ka kujtuar Kosovës dhe Serbisë obligimet që kanë ndaj KFOR-it.

“U rikujtojmë edhe një herë të gjitha palëve obligimet e tyre ndaj KFOR-it nën Marrëveshjen Ushtarako-Teknike, përfshirë respektimin për Vijat Kufitare Administrative, procedurat për Policinë e Kosovës dhe Marrëveshjen e vitit 2013 për dislokimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri. Këto detyrime janë krijuar për të siguruar veprim të koordinuar, për ta shmangur përshkallëzimin dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt”, ka thënë Lungescu.

Të tre policëve të kidnapuar, Beqir Sefa, Rifat Zeka dhe Shemë Mustafa, u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Vendimin e mori një gjyqtar i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë.

Rasti i tre policëve të Kosovës ndodhi në kohën e rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të cilat filluan pas 26 majit kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të tri komunave që të hyjnë në objektet komunale, përkundër kundërshtimit të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.