Një ditë para tentimit të 19-të për konstituimin e Kuvendit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zgjedhur të mos japë përgjigje në lidhje me ngërçin që është duke e përcjellë procesin. Kurti është kritikuar nga PDK-ja derisa ndryshim të zhvillimit të seancës të së mërkurës, nuk presin njohës të Kuvendit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili e drejton partinë fituese të zgjedhjeve - Vetëvendosje, ka refuzuar të flasë për veprimet në funksion të zgjidhjes së bllokadës në seancën konstituive të Kuvendit.
Të martën, mosdeklarimin e ka arsyetuar me faktin se ndodhej në një aktivitet në Podujevë.
“Çështjet e tjera të bllokimeve janë për Prishtinë, këtu jemi në Podujevë për banimin e përballueshëm e social”, ka thënë Kurti.
E, në Prishtinë, vazhdimisht ka refuzuar të ndalet para gazetarëve për t’iu përgjigjur pyetjeve për bllokadën.
Përfaqësues të Partisë Demokratike e kanë akuzuar Kurtin për bllokadën, meqë partia që ai udhëheq refuzon ta ndërrojë emrin e të propozuarit për kryeparlamentar.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa ka thënë në një konferencë për media, se Kurtit nuk i interesojnë qytetarët por pushteti.
Sipas Mustafës, çdo ditë e kaluar pa konstituimin e institucioneve rëndon të ardhmen e Kosovës dhe cilësinë e jetesës së çdo familjeje.
“Prandaj, edhe sot i bëjmë thirrje partisë që ka dalë e para nga zgjedhje që të marrë përgjegjësinë që i takon për ta zhbllokuar konstituimin e Kuvendit dhe t’i hapë rrugë formimit të një qeverie të përgjegjshme e cila në radhë të parë ka interesin e qytetarëve dhe do të veprojë shpejt për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Ndërkaq, analisti politik Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se në mes të taborëve politikë mungon vullneti për ndryshim të situatës së krijuar.
“E para se kanë hatërmbetje dhe inati që do të duhej në politikë, në momente të caktuara të tejkalohen, e dyta është pikërisht frika nga marrja e përgjegjësive në Qeveri, nuk guxojnë të shkojnë më tutje sepse nuk janë të zotët, nuk kanë qenë të zotët”, ka thënë Baraliu.
Seanca për konstituimin e Kuvendit ka nisur më 15 prill dhe të mërkurën është tentimi i 19-të për përmbylljen e saj.
Subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend nuk kanë lëvizur nga pozicionet e mëhershme. Lëvizja Vetëvendosje që i ka fituar zgjedhjet, insiston në zhvillimin e votimit të fshehtë për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare Kuvendi, ndërsa Partia Demokratike, Lidhja Demokratike e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar ndërrimin e propozimit për kryeparlamentar dhe kanë kundërshtuar votimin e fshehtë.
Albulena Haxhiu është e propozuara e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit.
Ajo nuk ka marrë votat e mjaftueshme në disa tentime, ndërkohë që nga 1 maji, VV-ja ka tentuar që fillimisht të ndërrojë mënyrën e votimit, nga i hapur në të fshehtë, por as për këtë nuk ka marrë votat e duhura.