Dy mospajtime i shprehu kryeministri Albin Kurti, në raport me propozimin e homologut të tij të Shqipërisë, Edi Rama, për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Tha se në vend që të kujdeset për serbët e Kosovës, Rama të fokusohet te të drejtat e shqiptarëve në Serbi. E krahas saj, theksoi se në vend që ta përcillte në Paris e Berlin, dokumenti duhej të nisej për në Beograd. Kundër propozimit u deklarua edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Nuk ka gjetur mbështetje në Kosovë dhe as në Serbi propozimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kryeministri Albin Kurti tha se nuk e ka lexuar përmbajtjen e dokumentit që homologu i tij i Shqipërisë ia ka përcjellë presidentit francez dhe kancelarit gjerman. Por, theksoi se në vend që të kujdeset për serbët e Kosovës, Rama të fokusohet te të drejtat e shqiptarëve në Serbi.
“Unë nuk kam dyshim që kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama beson që propozimi i tij i draftstatutit është i mirë dhe duke qenë kështu atëherë krejt çfarë unë propozoj është që kryeministri këtë draftstatut për pakicat kombëtare të ia prezantojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq më së largu në takimin e radhës së Ballkanit të Hapur për shqiptarët në Preshevë Medvegjë dhe Bujanoc”, tha Kurti.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është pozicionuar kundër propozimit. Ai ka thënë se kryeministri i Shqipërisë nuk është i autorizuar që të hartojë draftstatutin.
“Për dorëzimin e statutit është përgjegjës vetëm ekipi menaxhues serb. Edi Rama, me sa di unë, nuk është anëtar i atij ekipi dhe as Kurti. Serbët dhe Ekipi Menaxhues duhet ta shkruajnë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne nuk kemi asgjë për të negociuar. Vetëm na jepni parimet, organet dhe mekanizmat e Asociacionit siç janë negociuar dhe siç kam nënshkruar më 2015 me Isa Mustafën”, tha Vuçiq.
Në fillim të muajit të shkuar, një draftstatut për Asociacionin u prezantua nga ekipi menaxhues i përbërë nga serbët. Të nesërmen, Qeveria e Kosovës e shkarkoi përbërjen e ekipit, meqë dokumenti parashihte kompetenca jokushtetuese për këtë mekanizëm, përfshirë të drejtën për referendum.