LAJMET E MBRËMJES

Kundërpërgjigjja e Osmanit ndaj Macronit vlerësohet jodiplomatike

Jodiplomatike është vlerësuar gjuha e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në raport me presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Ajo ka thënë se dialogu vdes në rast se Kosovës i hiqet liberalizimi i vizave pas 1 janarit

Deklarata e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ku ajo iu kundërpërgjigj presidentit francez, Emmanuel Macron, është vlerësuar jodiplomatike nga analistët politikë.

Analisti Arton Demhasaj, thotë se deklarata që dialogu do të vdesë nëse Kosovës nuk do t’i hiqen vizat për në zonën Schengen në fillim të vitit të ardhshëm, tingëllon kërcënuese.

“Nuk mendoj se është mënyra e duhur, pasi Kosova nuk është ndonjë vend i fortë as strategjikisht, ekonomikisht apo ushtarakisht që të mbërrijë me kërcënu një shtet siç është Franca, i cili është një prej vendeve kryesore evropiane. Nuk është gjuhë diplomatike që presidentja duhet me përdorë ndaj presidentit Macron apo Bashkimit Evropian. Mirëpo është e vërtetë se nëse Bashkimi Evropian merr vendim dhe shfuqizon vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, do ta dëmtonte dialogun. Por nuk mendoj se do të shkojë deri tek ajo pikë”, ka thënë Demhasaj.

E njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se e ka parë deklaratën e Osmanit si ultimative. Sipas tij, Bashkimit Evropian duhet t’i bëhet e ditur sa herë që bëhet një e padrejtë ndaj Kosovës në dialog.

“Ishte diçka që më tepër tingëllonte si ultimative sesa që ishte një deklarim i thjeshtë. Mbase Bashkimi Evropian duhet t’i ketë parë pasojat e politikave të tij të gabuara, të pasuksesshme dhe pa efekte deri tani. Andaj mbase do të duhej të ketë politika më shtrënguese, sidomos ndaj Serbisë. Pasi tani për herë të parë Serbia përmendet si faktor që mund të sanksionohet ashtu siç është sanksionuar Kosova. Mbase BE-ja ka indikacione që duke mos udhëhequr politika të drejta por të gabuara, duke qenë asimetrike në sjellje dhe priviligjuese ndaj Serbisë nuk është rruga e duhur”, ka thënë ai.

Presidenti Macron në një konferencë të mbajtur me rastin e “Konferencës së 29-të të ambasadorëve” ka thënë, ndër të tjera, se në rast se nuk ka përparim në shtensionim të situatës në veri nga Kosova dhe Serbia, atëherë do ta shqyrtojnë mundësinë sa u përket politikave të vizave dhe çështjeve të tjera ekonomike.