Në tri mandatet si deputet, kryeparlamentari Dimal Basha është bërë i njohur për qasje konfrontuese si brenda, ashtu edhe jashtë Kuvendit. Në legjislaturën e shkuar, ai pati ndezur shumë debate, ku përpos me kolegët deputetë - si nga opozita ashtu edhe nga partia së cilës i takon - përplasje pati edhe me sindikalistë, përfaqësues ndërkombëtarë e media
Kryeparlamentarit të ri, Dimal Basha, KOHA Ditore në edicionin festiv për Vit të Ri më 2023 ia pati dhënë epitetin “Fitili i Kuvendit”, shkaku i konfrontimeve të shumta që i ka pasur prejse është zgjedhur deputet.
Më të zëshmin e pati atë në Komisionin parlamentar për Arsim e edhe në korridorin e Kuvendit me kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, në kohën sa SBASHK-u mbante grevë.
Në tetor të 2022-s, e quajti “hajn” deputetin e PDK-së, Ardian Kastrati, tek e akuzoi për plagjiaturë.
“Deputeti Kastrati ka dalë me ua qa hallin këtu mësuesve, fatkeqësia është se vetë tipi është plagjiator. Paramendo me dalë me folë dikush për hajni, në hajni s’mujnë me i thanë hajn, i thonë plagjiator. Paramendo kur vjedh në shkronja, ka bon tipi. I vjedh idetë e tjerëve, i shet si të vetat”, kishte thënë Basha.
Përplasje pati edhe me bashkëpartiakë. Ministrin Liburn Aliu e akuzoi se nëpërmjet projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje ia mban anën mafisë ndërtimore.
“Amiston edhe kriminelët edhe zyrtarët kriminelë që kanë qenë të lidhur me mafinë e betonit... Jo te qytetarët e thjeshtë. Atyre duhet me ja u legalizu pa pare”, pati thënë Basha.
Gjuhë të prerë përdori edhe me shefin e misionit të BE-së për sundim të ligjit, kur nëpërmjet një postimi në Facebook i kërkoi që t’i vendos sanksione Serbisë e të mos shesë përralla.
Si deputet, Basha e bëri të popullarizuar termin pezhorativ “langarec” që e përdori kundër të tjerëve. Përdori edhe asteriskë për ta zëvendësuar një tjetër term ofendues, në një postim Facebooku pas fitores së Vetëvendosjes në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Konfrontime nxiti edhe me pretendimet se institucionet e drejtësisë ia mbajnë anën opozitës. E një nga idetë e fundit që u përpoq t’i shtyjë përpara ka qenë rikthimi i nenit për Shpifjen dhe fyerjen në Kodin Penal, një përcaktim që bie ndesh me parimet demokratike që e garantojnë lirinë e mediave.
Basha, që të martën u zgjodh kryetar i Kuvendit, i kreu studimet si themelore, ashtu edhe në masteri, në fushën e Marrëdhënieve ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri”, në “The New School University” në New York. Ai e zotëron gjuhën angleze.
Bazuar në deklarimin e pasurisë të vitit 2024, ai nuk ka të ardhura të tjera pos atyre nga paga e mëditjet. Te pasuritë e luajtshme, i deklaroi dy vetura - një të përbashkët prej 7 mijë eurosh e tjetrën të bashkëshortes, me vlerë 5 mijë euro. Deklaroi rreth 5 mijë euro metale të çmuara, edhe ato të bashkëshortes.