Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur të dielën nga Prishtina mbi 58 mijë pako me fletëvotime drejt Evropës, Amerikës dhe Australisë, për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Sipas KQZ-së, votuesit me postë mund të përcjellin vendndodhjen e pakos, ndërsa procesi i votimit zgjat deri më 27 dhjetor
Mbi 58 mijë pako me fletëvotime janë nisur të dielën nga Prishtina për në Evropë, Amerikë e Australi, për votuesit e regjistruar jashtë vendit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Fletëvotimet do t’u dërgohen rreth 58 mijë votuesve të regjistruar për votim me postë, ndërsa 19.257 votuesit e tjerë të regjistruar në përfaqësi diplomatike do të votojnë më 27 dhjetor, në misionet ku janë regjistruar.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se votuesit mund të përcjellin vendndodhjen e pakos së tyre.
“Fillimisht, pakot do të dërgohen në aeroport dhe gjatë ditës së nesërme do të fillojë shpërndarja e tyre në shtete të ndryshme, përmes shërbimeve postare, në adresat e votuesve. KQZ njofton se gjatë javës në vijim do të përmbyllet i gjithë procesi i dërgimit të pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës. Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim”, ka thënë Elezi.
Elezi ka njoftuar se votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor, por u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos presin ditën e fundit.
Gjithashtu ai ka thënë se pakot duhet të dorëzohen në adresën e njërës nga kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit, apo në kutitë postare më të afërta.
Ai ka theksuar se nisja e dërgesave jashtë vendit ka qenë e paraparë të bëhej të premten mirëpo, sipas tij, kjo vonesë dyditëshe nuk do të paraqesë problem.
“Koha e cila pastaj është në dispozicion të votuesve për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare besojmë që është e mjaftueshme. Pjesa më e madhe e votuesve janë në shtetet e Evropës dhe në të gjitha këto shtete KQZ ka hapur kutitë postare, pra dërgesën, pakon me fletëvotim, votuesit mund ta dërgojnë brenda shtetit të tyre, pra në kutinë postare që e ka hapur KQZ”, ka deklaruar Elezi.
KQZ-ja ka bërë të ditur se me qëllim të lehtësimit të procesit të votimit për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në 23 shtete.
Ky është procesi i dytë zgjedhor brenda këtij viti sa u përket atyre parlamentare. Ndërkohë janë mbajtur edhe zgjedhjet lokale.