Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

KQZ-ja kërkon 7 qershorin si datë të zgjedhjeve, Haxhiu nesër takon përfaqësuesit e partive

zgjedhjet

Foto: Arkiv

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka propozuar 7 qershorin si datën më të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Për datën e saktë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, të enjten, do të takojë përfaqësuesit e partive politike

Të enjten, ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu do të nisë takimet konsultative me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Bazuar në njoftimin e Zyrës së Presidentes, takimi do të nisë në orën 15:00.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E Haxhiu gjatë ditës së mërkurë, është takuar me kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, i cili pas takimit tha se ka kërkuar që data e zgjedhjeve të reja parlamentare të jetë 7 qershori.  

“Sa i përket datës, kemi kërkuar që sa më shumë kohë me pasë, për shkak se na nevojitet përgatitje, nuk është proces i lehtë, por i mbetet presidentes me vendosë...... dy data 31 maj ose 7 qershor, kështu që për mendimin tonë është 7 qershori, por prapë them le t’i mbetet presidentes me vendosë”, ka thënë Radoniqi.

Të martën, në mesnatë u shpërnda legjislatura e dhjetë e Kuvendit, pasi dështoi ta zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues. Për pasojë, zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

7 qershori është afati i fundit për organizimin e zgjedhjeve, ndërsa ushtruesja e detyrës së presidentes ka kohë 10 ditë për të caktuar datën, pas konsultimit me partitë politike dhe KQZ-në. 

“Zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve, por jo më herët se 30 ditë, nga shpërndarja e Kuvendit. Megjithatë, afati 10-ditor i u.d. presidentes për shpalljen e zgjedhjeve nuk e shtyn afatin e fundit për mbajtjen e tyre – që mund të jetë vetëm 31 maji ose 7 qershori. Deri në mbajtjen e zgjedhjeve dhe krijimin e institucioneve të reja – që do të marrë kohë të paktën tre-katër muaj – shteti do të jetë në pauzë”, ka theksuar Eugen Cakolli, menaxher i Programit në Institutin Demokratik të Kosovës. 

Zgjedhjet e radhës do të jenë të tretat parlamentare dhe të pestat në përgjithësi në 16 muajt e fundit.