Pezullimi i certifikatës së biznesit të Klan Kosovës nga MTI-ja, sipas Komisionit të Pavarur të Mediave, ka vënë në dilemë ligjshmërinë e regjistrimit. Zyra ligjore e KPM-së ka obliguar këtë kompani mediatike që në afat prej 30 ditësh të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm për mbajtjen e licencës së transmetimit. Nëse dështon të veprojë në pajtim me rregulloren për ofruesin e shërbimeve mediale, Klan Kosova, sipas KPM-së, mund të përballet me masa sanksionuese. Pezullimi i certifikatës së biznesit të këtij televizioni ka nxitur reagimin e organizatave që përfaqësojnë mediat ndërkombëtare dhe të ambasadave e institucioneve të tjera në Kosovë
Komisioni i Pavarur i Mediave ia ka caktuar afat 30 ditësh televizionit Klan Kosova për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm në mënyrë që të vazhdojë ta ketë licencën e transmetimit. Vendimi është marrë dy ditë pasi Ministria e Tregtisë ia pezulloi këtij televizioni certifikatën e biznesit, me arsyetimin se në rastin e ndërrimit të aksionarëve, në dokument figurojnë pronarë me vendbanim Pejë e Gjakovë, nën administrimin e Serbisë.
Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, prezantoi rekomandimet e Zyrës Ligjore për këtë rast.
“Duke marrë parasysh që vendimi për pezullim e certifikatës vë në dilemë ligjshmërinë e regjistrimit të këtij biznesi, nga zyra ligjore e KPM-së kemi një rekomandim që ka dy dispozita: 1. Obligohet ofruesi i Klan Kosova që në afat prej 30 ditësh nga pranimi i këtij vendimi të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm për mbajtjen e licencës së transmetimit konform rregullores për ofruesin e shërbimeve mediale audio dhe audio-vizuele të KPM-së. 2. Dështimi për të vepruar në pajtim me rregullore për ofruesin e shërbimeve mediale audio dhe audio-vizuele të KPM-së 2021... brenda afatit të përcaktuar me paragrafin një të këtij vendimi do të rezultojë me masa sanksionuese me nenin 30 të Ligjit të KPM-së”, ka thënë Mehmeti.
Ai ka bërë të ditur se për pezullimin e certifikatës së biznesit janë njoftuar nga ARBK-ja.
“KPM-ja është informuar nga ARBK-ja më datën 14 qershor se ka pezulluar certifikatën e biznesit të kompanisë Klan Kosova të datës 29 maj 2020. Ofruesi i shërbimit medial Klan Kosova është licencuar në KPM mbi bazën e kësaj certifikate të biznesit”.
Para marrjes së vendimit, anëtarë të KPM-së kanë thënë se ky institucion u është nënshtruar akuzave e presionit. Por, u zotuan se do të veprojnë me paanshmëri.
Besnik Berisha ka theksuar se janë të angazhuar që të ketë diversitet të mediave, dhe se me gjithë interpretimin e bërë në publik, nuk janë që “t`ia mbyllin gojën asnjë medie”.
“Sikur që nuk duam që të ia mbyllim gojën mediat njëkohësisht, nuk dëshirojmë t’ia mbyllim gojën as ligjit, për këtë arsye, ne nuk i pranojmë presionet prej asnjë pale, as nga qeveria, por as nga industria e mediave”, ka thënë Berisha.
Ai është ankuar edhe për bërjen publik të takimit konsultativ që KPM-ja e ka mbajtur një ditë më parë.
“Ne si KPM nuk pranojmë instruksione nga askush, mirëpo i respektojmë të gjitha vendimet e instruksionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai duke kërkuar që të hapen raste ligjore edhe për raste të tjera që janë bërë transfere të pronësisë pa aprovimin paraprak të KPM-së.
E anëtarja tjetër e KPM-së, Luljeta Aliu, ka deklaruar se një prej pikave më të rëndësishme të tyre, është pavarësia e medias e liria e fjalës. Aliu ka thënë se me shumë kujdes kanë trajtuar rastin dhe se do të vazhdojnë të punojnë në analizën e dokumentacionit.
“Çështja është e ndjeshme, meqë ne, edhe si komision jem të varur nga certifikata që lëshohet nga Ministria, nga ARBK-ja. Baza e licencimit në KPM është validiteti i asaj certifikate. Ne si komision jemi pikërisht të lidhur me ekzistimin dhe validitetin e asaj certifikate”, ka thënë ajo. “Ne jemi të detyruar që të kemi dokumentacionin që kërkohet për licencim. I gjithë shënjestrimi ndaj KPM-së ishte shumë i ngutshëm nga ana e mediave e shoqërisë civile”.
Lidhur me vendimin e KPM-së, KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga ish-drejtori i përgjithshëm i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi, tani anëtar i bordit, por kontakti me të nuk ka qenë i mundur.
Vendimi i Ministrisë ka nxitur reagime të shumta nga aktorë vendorë e ndërkombëtarë. Qendra Evropiane për Liri të Shtypit, në një reagim të përbashkët me tri organizata të tjera për lirinë e medias, e cilësuan të paprecedent masën. Sipas këtyre organizatave, vendimi paraqet rrezik serioz për ushtrimin e lirisë së mediave në Kosovë.
“Theksojmë me shqetësim se ky akt i presionit të dukshëm politik ndaj një stacioni televiziv të madh nga Lëvizja Vetëvendosje minon progresin e Kosovës në lirinë e mediave në vitet e fundit, gjë që organizatat tona e vunë re së bashku pas një misioni të fundit ndërkombëtar në vend në nëntor 2022. Tutje, ne gjithashtu i bëjmë thirrje kryeministrit Kurti dhe ministres Hajdari që të sigurojnë që pezullimi i certifikatës së biznesit të Klan Kosovës të anulohet menjëherë dhe të ndërpriten të gjitha format e presionit ndaj mediave – politike, administrative dhe rregullatore”, thuhet mes tjerash në reagim e Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit, Institutit Ndërkombëtar të Shtypit, Federatës Evropiane të Gazetarëve e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve.
Kanë reaguar edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë. Ata kanë theksuar se janë duke i përcjellë me shqetësim zhvillimet dhe kërkuan vendime të drejta.
Ambasada Amerikanë në Kosovë, në një përgjigje për reporter.net, ka thënë se “revokimi i çfarëdo licence të cilësdo media kërkon shqyrtim rigoroz”.
“Ne jemi në dijeni të vendimit dhe po e ndjekim nga afër këtë çështje. Ne e kemi vënë re natyrën e papritur të vendimit, dhe gjithashtu faktin se revokimi i çfarëdo licence i cilësdo medie është hap domethënës që kërkon shqyrtim rigoroz. Siç e kemi thënë vazhdimisht, media e lirë dhe e pavarur është thelbësore për demokracitë e forta dhe elastike”, thuhet në reagim.
Të shqetësuar me vendimin e MINT-it janë shprehur edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian.
“Bashkimi Evropian po monitoron nga afër zhvillimet. Vëmendja është e përqendruar veçanërisht në ndikimin e mundshëm në lirinë e medias. BE-ja mbetet e përkushtuar në mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shprehjes dhe informimit në Kosovë”.
Shqetësimin me Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias e organizatat e tjera, ka thënë se e ndan edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Tutje, ai ka theksuar se procedurat në vazhdim duhet të jenë të drejta dhe të mos kërcënojnë rritjen mbresëlënëse të Kosovës në renditjen e fundit globale për lirinë e medias.
Pas reagimit të Ambasadës amerikane, asaj gjermane, por edhe të zyrës së BE-së në Kosovë nga misionet diplomatike, reagim pati edhe nga Ambasada britanike.
“Po e ndjek me vëmendje rastin e Klan Kosovës dhe vërej se vendimi për licencën e biznesit të saj është ende objekt ankimimi. Vërej shqetësimin e përhapur në shoqërinë civile dhe kërkoj nga institucionet përkatëse që të mendojnë me shumë kujdes për çdo masë të mëtejshme si pasojë e kësaj, dhe të marrin parasysh implikimet më të gjera për lirinë e mediave në Kosovë”, thuhet në reagimin e ambasadorit Nicholas Abbott.
Të shqetësuar me vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për pezullimin e licencës së biznesit të Klan Kosovës, u shprehën edhe odat ekonomike. Ne reagimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, thuhet se vendimi i ministrisë ngre shqetësime për stabilitetin dhe parashikueshmërinë e mjedisit të biznesit në Kosovë.
Nga kjo odë kanë kërkuar që Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ta rishqyrtojë vendimin e saj për pezullimin e certifikatës së regjistrimit të biznesit të televizionit Klan Kosova.
“Është thelbësore që çështjet ligjore, si pezullimi i certifikatave të regjistrimit të biznesit, të trajtohen përmes proceseve të drejta dhe transparente, duke siguruar që bizneset të kenë mundësinë të mbrojnë interesat e tyre dhe të trajtojnë çdo shqetësim në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme”, thotë më tej Oda Amerikane, derisa përmendet edhe ndikimi që një vendim i tillë do të ketë në lirinë e mediave dhe mbrojtjen e pavarësisë së gazetarisë.
Për ndikimin që një vendim i tillë do të jetë në imazhin e Kosovës të shqetësuar janë shprehur nga Oda Ekonomike e Kosovës.
“OEK-ja apelon për vendimmarrje të drejtë, të bazuar në procedurat e ligjet gjegjëse si dhe respektim të të drejtave të bizneseve, por edhe për pacenueshmëri të lirisë së shprehjes”, thuhet në reagim.
KOHA ka pyetur Ministrinë e Tregtisë në lidhje me arsyet pse nuk është pritur vendimi i institucione të drejtësisë para marrjes së vendimit për pezullim të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, por të premten nuk ka marrë përgjigje.