LAJMET E MBRËMJES

KPK-ja i reagon zv.ministrit, pasi e cilësoi Specialen “organizatë kriminale”

Reagimi i KPK-së e ZKPSH-së u bë të martën, një ditë pasi zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, shpërndau një postim të drejtorit të Financave në Telekom, Feim Kelmendi, ku ai e quajti Prokurorinë Speciale “organizatë kriminale”

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) i kanë reaguar zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, pasi ai, të hënën, ka shpërndarë një status në Facebook të drejtorit të Financave në Telekom, Feim Kelmendi. 

Kelmendi në postimin e tij e ka quajtur Prokurorinë Speciale “organizatë kriminale”, pasi ajo ka nisur hetime mbi disa kontrata. 

KPK-ja dhe Zyra e Kryeprokurorit në reagimin e tyre të përbashkët ndaj Sallahut kanë thënë se cilësimi “organizatë kriminale” i Prokurorisë krijon pasiguri për prokurorët dhe familjet e tyre. Në reagim thuhet se në postim “ka përmbajtje jashtëzakonisht nxitëse, tendencioze, propaganduese dhe linçuese ndaj kësaj prokurorie dhe prokurorëve të saj”.

“KPK dhe ZKPSH, deklarojnë se në vend që zëvendësministri Sallahu të angazhohet dhe të ketë përkushtim maksimal, vullnet dhe iniciativa të shtuara për ngritjen e kapaciteteve, përmes rritjes së buxhetit të sistemit prokurorial për vitin 2025, i njëjti vihet në ballë të sulmeve sistematike ndaj prokurorive, prokurorëve dhe tërë sistemin prokurorial, duke harruar detyrën dhe përgjegjësitë e tij për t’u marrë me çështjet e avancimit dhe të fuqizimit të kapaciteteve përmes ndarjes buxhetore, që do t’i plotësonin nevojat e domosdoshme për kryerjen e punëve, mungesa e të cilit krijon barriera dhe paraqet vështirësi të mëdha në realizmin e përgjegjësive institucionale”, thuhet në reagim.

Këto dy institucione kanë deklaruar se nuk do të ndalen, siç thuhet, para “linçimit publik” të eksponentëve politikë, e që kanë vënë në shënjestër Prokurorinë Speciale dhe janë vënë në ofensivë denigruese ndaj vlerave të përgjithshme të sistemit prokurorial.

“Gjithashtu nënvizojmë se puna, përgjegjësia, kompetenca dhe misioni i prokurorive dhe i prokurorëve të shtetit nuk janë çështje e vullnetit dhe e fjalomanisë së individëve të caktuar dhe do të mbesin përherë jashtë çdo agjende të politikës ditore dhe nuk do të tolerojmë realizimin e qëllimeve të sojit të z. Sallahu, ngaqë Prokurori i Shtetit përditë e më tepër po intensifikon angazhimet konkrete për ndriçimin e të gjitha rasteve, përfshirë edhe rastet ndaj zyrtarëve të dyshuar që janë në pushtet, duke mos u shmangur assesi nga misioni dhe pavarësia e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në reagim.

Edhe sekretarja e përgjithshme e PDK-së ka reaguar lidhur me statusin që Sallahu e ka shpërndarë.

Ajo ka thënë se Sallahu po “shpërndan gjuhë fyese, kërcënuese dhe poshtëruese ndaj Prokurorisë”. 

“Me përdorë një gjuhë të tillë fëmijët në shtëpi, prindërit ua tërhjekun vërejtjen, e në shkollë e merr 1sh në sjellje”, ka shkruar ajo.