LAJMET E MBRËMJES

Konstituimi i legjislaturës mbetet në tentativë për të 13-n herë

Konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit ka mbetur në tentativë për të 13-n herë me radhë. Vazhdimi i seancës, që është mbajtur në ditën kur janë bërë 3 muaj nga zgjedhjet, ka zgjatur gjithsej 4 minuta. Në të dy taborët politikë mbajtën qëndrimet e vjetra. E Gjykata Kushtetuese është adresë që një numër deputetësh konsiderojnë se mund t’i japë zgjidhje ngërçit të krijuar. Nismën për t’iu drejtuar gjykatës e ka marrë të premten AAK-ja

Fiks tre muaj nga dita e zgjedhjeve, në tentimin e trembëdhjetë me radhë, të zgjedhurit e rreth 940 mijë qytetarëve kanë dështuar që ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit.

Seanca konstituive, e nisur më 15 prill, nuk është përmbyllur as të premten. Tentimet për ta finalizuar janë organizuar çdo 48 orë, teksa i fundit ka zgjatur gjithsej katër minuta.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, sërish ka kërkuar propozime nga subjektet politike që në tri tentimet paraprake nuk kanë dhënë emrat për anëtar të komisionit, i cili do të menaxhonte procesin e votimit të fshehtë të kandidates për kryeparlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu.

“Ftoj subjektet që nuk kanë propozuar kandidatët e tyre për komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Ftoj PDK-në që të propozojë kandidatin e vet për anëtar të komisionit… ftoj LDK-në që të propozojë kandidatin e vet për anëtar të komisionit”, ka thënë Dehari në hapje të punimeve të seancës.

Kësaj ftese përgjigje i kanë dhënë në Lidhjen Demokratike (LDK), porse jo për ta propozuar anëtarin e komisionit.

“Dola këtu për të thënë që mundesh me na thirrë edhe 48 herë, çdo 48 orë edhe me kërku me propozu…”, ka thënë Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së.

Por asaj iu ndërpre fjala nga kryesuesi Dehari.

“Regjia ndalja mikrofonin, vetëm nëse ka propozim, përndryshe nuk ka diskutime”, ka thënë ai.

E kur edhe subjektet e tjera nuk i janë përgjigjur kërkesës së tij, Dehari ka hedhur në votim përbërjen e komisionit, me emrat e propozuar më herët, por nuk siguroi votat e mjaftueshme.

Nga 113 deputetë prezentë në sallë, në votim kanë marrë pjesë 57 prej tyre, nga të cilët 56 janë shprehur për dhe 1 kundër.

Vota të përafërta ka marrë në disa tentime të mëhershme edhe e propozuara e LVV-së për kryeparlamentare, Haxhiu, por që janë të pamjaftueshme për t’u zgjedhur.

Vazhdimi i radhës i seancës konstituive të Kuvendit është caktuar për të dielën, me fillim nga ora 10:00. Seanca konsiderohet e finalizuar, vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.

AAK-ja do t’i drejtohet Kushtetueses për t’i dhënë zgjidhje ngërçit

Pas përmbylljes së seancës, përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë paralajmëruar se të hënën do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, me qëllimin për t’i dhënë zgjidhje ngërçit të krijuar në procesin e konstituimit të Kuvendit. Për këtë janë marrë nënshkrime edhe nga deputetë të Partisë Demokratike (PDK) dhe atyre të LDK-së.

Gjykatës do t’i kërkohet që të vlerësojë nëse është kushtetues kalimi nga votimi i hapur për kryeparlamentarin, në votim të fshehtë, si dhe mosnxjerrja në votim e të propozuarës për kryeparlamentare në pesë vazhdimet e fundit të seancës.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se kërkesës që do të deponohet në gjykatë do t’i bashkëngjiten edhe agjenda e ndryshuar e seancës dhe transkriptat e saj.

“Për shkak të ndryshimit në mes të zgjedhjeve të formës së votimit, nga votimi i hapur në votim të fshehur, ne kemi mbledhur nënshkrimet, do t’i adresohemi Gjykatës Kushtetuese për këtë shkelje ligjore dhe kushtetuese dhe të hënën ne do ta dorëzojmë në Gjykatën Kushtetuese këtë shkelje që po bëhet”, ka thënë ajo, tek ka shtuar se kërkesa do të plotësohet edhe me nënshkrimet e disa deputetëve të tjerë të partive që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë.

Por, në PDK kanë thënë se fillimisht do të vlerësohet nga partia nëse ka lëndë për trajtim nga Gjykata.

“Kemi ekspertizën e duhur për të vlerësuar a duhet të dërgohet diçka, do ta shqyrtojmë pa paragjykim, do të marr mendimin e ekspertëve të PDK-së, pastaj do të diskutoj edhe me kolegët nga AAK-ja”, ka thënë Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së.

Edhe në LDK janë shprehur se do ta analizojnë lëndën.

“Nëse ka iniciativa të tilla dhe besoj që tani kolegia do t’ju njoftoj për iniciativa për të dërguar diçka, për të dërguar lëndë në Gjykatën Kushtetuese që i jep zgjidhje ngërçit politik, i cili është krijuar, natyrisht që ne e analizojmë lëndën dhe jemi për, jemi për zhbllokimin e situatës”, është shprehur deputetja Bajrami.

Por deputetja e listës së LVV-së, Donika Gërvalla Gërvalla-Schwarz, nismën e AAK-së për adresimin e çështjes në Kushtetuese e ka kualifikuar veprim për ta arsyetuar bllokadën në Kuvend.

“E ftoj AAK-në, që nëse kanë argumente të mjaftueshme, në vend të deklarimeve politike, ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese, sepse është bërë bajat. Është bërë bajat që vazhdimisht flitet për Gjykatën Kushtetuese, flitet në emër të saj, flitet me supozime të cilat ligjërisht nuk qëndrojnë. Ai që mendon që ka shkelje të Kushtetutës nuk duhet ta mbajë pezull publikun, por duhet ta dorëzojë më në fund në Gjykatë Kushtetuese, sepse vetëm kështu mund të sqarohet a ka apo nuk ka shkelje”, ka thënë ajo.

Pas dështimit të përpjekjes së 13-të për ta konstituuar përbërjen e re të Kuvendit, përfaqësues të partive që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë, e kanë hedhur fajin te Vetëvendosja për bllokadën.

“E shpreh vullnetin tonë të konfirmuar sa e sa herë për insistimin që të dalim nga bllokada, në të cilën na ka sjellë partia e parë dhe të zgjedhim Kryesinë e Kuvendit, duke përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit përmes propozimit të një kandidati apo kandidateje që vërtet e merr shumicën e votave, sepse zonja Haxhiu tashmë 13 herë po dihet që as nuk i ka e as nuk do t’i ketë votat për kryetare të Kuvendit”, ka thënë Krasniqi i PDK-së.

Liderët politikë, në parim pro takimit me presidenten

Për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate, presidentja Vjosa Osmani është shprehur e gatshme që t’i ftojë liderët e partive në një takim gjithëpërfshirës.

Deputetë të të dy taborëve politikë janë deklaruar se në parim janë pro takimit.

“Njerëzit kanë votuar, përgjegjësia është e madhe, çka është kjo duam të shkojmë në zgjedhje? Njerëzit na kanë zgjedhur për t’i zgjedhur institucionet”, ka deklaruar Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate.

Për është shprehur edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Ne kemi bërë thirrje për gjithëpërfshirje, çdo takim gjithëpërfshirës është vazhdimësi e idesë sonë. prandaj natyrisht se po”, ka thënë ai.

E hapur për takim me presidenten është shprehur edhe deputetja e LVV-së, Gërvalla-Schwarz.

“Natyrisht nëse presidentja na dërgon ftesë do ta shohim se çfarë përmban ftesa dhe për çka na thërret presidentja. Nuk jemi shquar ndonjëherë për ndonjë bllokadë”, ka thënë ajo.

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se pret që ta mësojë formatin e takimit, por edhe përmbajtjen e ftesës.

“Nuk e di në cilin format mund të ftojë presidentja, pra mund t’i ftojë një nga një, mund t’i ftojë të gjithë bashkë, ne kemi mirëpritur edhe idenë e kryetarit të Abdixhikut për konsulta për formimin e Qeverisë”, është shprehur Haradinaj.

Presidentja Osmani ende nuk e ka caktuar datën e takimit gjithëpërfshirës, porse është paralajmëruar se ajo do të harmonizohet në konsultë me liderët e subjekteve politike.