LAJMET E MBRËMJES

Komuna e Prishtinës ka përuruar Dhomën e Monitorimit të Zhurmave, paralajmërohen gjoba

Problemin me ndotjen akustike po pretendon që po e zgjedh, me përurimin që ia bëri të hënën Dhomës për Monitorimin e Zhurmave, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Sistemi kompjuterik i përuruar u tha se shtyp gjobat automatikisht për operatorët ekonomikë që tejkalojnë decibelët e lejuar.

Lorika Halili, e cila banon në qendër të Prishtinës, tash e një vit u drejtohet organeve të rendit rregullisht, e shpesh edhe disa herë brenda ditës.

Brenga e saj është zhurma që vjen nga lokalet e gastronomisë.

Halili thotë se në apartamentin e saj edhe pas mesnatës, është vështirë të bësh gjumë.

Ajo muzikën që e dëgjon nga banesa e saj çdo natë, e krahason, për nga niveli i volumit, me atë të dasmave.

“Ka një vjet që vazhdimisht dërgojmë e-mail dhe drejtohemi tek autoritetet përkatëse që të merren me çështjen, por muzikë, përveç të dielave, çdo natë kemi muzikë të gjallë. Ka filluar të ndikojë dukshëm në mirëqenien tonë, si banorë të qendrës së Prishtinës, për shkak se është e pamundur të flesh deri pas orës 12 të natës, nuk ka të bëjë vetëm me orarin e punë por ka të bëjë me volumin e muzikës, që është i njëjti me volumin e muzikës në ahengjet familjare”, ka theksuar Halili.

Për t’i ofruar zgjidhje, Lorikës dhe banorëve të tjerë të Prishtinës, Komuna ka lansuar sistemin e ri për matjen dhe gjobitje të operatorëve ekonomikë që tejkalojnë njësinë prej 60 decibelëve, që u lejohet lokaleve.

Nga Dhoma e Monitorimit të Zhurmave, bizneset do të gjobiten automatikisht, nga aplikacioni, ka thënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Ai ka treguar për masat dhe gjobat që parashihen për shkelësit, e të cilat tha se mund të shkojnë deri në mbylljen e lokalit.

“Herën e parë, është vërejtja, nuk ka gjobë nëse kalohet herën e parë. Pra, është vetëm vërejtje. Vërejtja i shkon në e-mail dhe nëpërmjet këtij aplikacioni, secilit operatorë që është i regjistruar. Nëse e kalon prapë, atëherë kemi gjobën e parë 500 euro, nëse e shkel edhe herën e dytë, atëherë gjoba është 1000 euro. Nëse e kalon herën e tretë atëherë mbyllet për 8 ditë operatori”, theksoi Rama.

Drejtori i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Basri Shabani, ka thënë se sistemi i lansuar do ua lehtësoj punën edhe atyre.

“Dihet se kemi pak probleme sa i përket zhurmës dhe në këtë drejtim kemi pas ankesa në baza ditore sa i përket çështjes së kalimit të decibelëve të zhurmës. Policisë së Kosovës, ky projekt do t’i ndihmojë shumë, sidomos në reduktimin e angazhimit të personelit në këtë drejtim”, deklaroi Shabani.
E, sekretari i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vrainca, ka thënë që kjo mundëson që edhe tregu të jetë më fer.

“Për ne është një lehtësi sepse është një shmangie ose ulje e konkurrencës jolojale, për të cilën edhe kemi vuajtur. Pra është në dobi të rezidentëve, kryeqytetit, institucioneve dhe neve si komunitet i bizneseve që të kemi më të lehtë të vazhdojmë punën tonë”, tha Vrainca.

Komuna e Prishtinës para 3 muajsh ka hapur thirrjen që lokalet e gastronomisë të pajisen me matës të zhurmës, me anë të të cilëve do të mundësohet edhe mbikëqyrja nga tash e tutje.