Me kërkesa të disa prej anëtarëve të Këshillit të Evropës për pranimin e Kosovës pa kushtëzime dhe akuza të përfaqësuesve serbë që nxorën përfundime edhe për rastet e sulmeve ndaj serbëve, është shoqëruar debati i së mërkurës në Asamblenë e këtij Këshilli. E përfaqësues të Kosovës e përsëritën përkushtimin për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, teksa e akuzuan Beogradin se nëpërmjet tensioneve në veri po tenton që t’i ikë dialogut
Shmangie të vonesave për sa i përket pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe intensifikim të negociatave për marrëveshje finale me Serbinë kërkuan disa prej vendeve anëtare të Këshillit Evropian.
Kërkesat u shpalosën gjatë diskutimit për zhvillimet e javëve të kaluara në veriun e populluar me shumicë serbe në Asamblenë e këtij Këshilli.
Aty, përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar, që ishte edhe iniciues i debatit, tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk duhet të mbetet peng i përparimit në dialogun me Serbinë.
“Ne duhet të tregojmë se Këshilli i Evropës është i ndarë nga BE-ja dhe ka vlerat e veta dhe parimet e veta. Ne e mirëpritëm aplikimin, si shenjë e përkushtimit të Kosovës për të drejtat e njeriut dhe për vlerat evropiane, ndërsa Mbretëria e Bashkuar inkurajon të tjerët që ta mbështesin aplikacionin dhe mendon se kjo nuk duhet të mbahet peng i përparimit të dialogut Kosovë-Serbi, të udhëhequr nga BE-ja. Kështu që kjo është një pikë shumë e rëndësishme për t'u theksuar”, ka thënë John Howel nga Mbretëria e Bashkuar.
Deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, Lulëzim Basha, deklaroi se pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm që duhet të pranohet edhe nga Serbia.
“Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm në zemër të Evropës. Sa më shpejt të pranohet ky realitet nga të gjithë, përfshirë edhe Serbinë, aq më mirë do të jetë para së gjithash për qytetarët e Kosovës, si për serbët e Kosovës, ashtu edhe për shqiptarët, aq më mirë do të jetë për të ardhmen e gjithë rajonit tonë, duke na lejuar të përqendrojmë përpjekjet dhe vizionin tonë për të siguruar një jetë më të mirë për të rinjtë tanë në vendet tona”, ka thënë Basha.
Të drejtën e fjalës në Këshill e kanë edhe deputetët nga Kosova. Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, deklaroi se Kosova është e përkushtuar në arritjen e marrëveshjes, pengesa për të cilën gjë ajo tha se po bëhen nga ana e Serbisë.
“Kosova po ballafaqohet me strukturat paralele dhe kriminale në veri, të inkurajuara nga Serbia. Shteti serb asnjëherë nuk është distancuar nga krimet e bëra në vitin 1999 dhe ata vazhdojnë të mbajnë lidhje të forta me Rusinë. Ka qenë shqetësuese të shohim pjesëtarë të grupit ‘Wagner’ që kanë hyrë në Kosovë nëpërmjet Serbisë. Serbia e synon destabilizimin për të ikur nga dialogu për marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse me njohje reciproke. Ne duam marrëveshje dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve bazuar në reciprocitet”, ka thënë Bogujevci.
E përfaqësuesit e Serbisë e akuzuan Kosovën për ato që i kualifikuan si rrezikim i jetesës dhe dëbim i serbëve nga Kosova. Kryesuesja e delegacionit serb e përmendi edhe rastin e plagosjes së dy serbëve, duke i akuzuar pjesëtarët e FSK-së.
“Po ballafaqohemi me shkeljen e të drejtave të serbëve. Madje dy serbë u qëlluan nga Forca e Sigurisë së Kosovës, në Ditën e Krishtlindjes. Para dy ditësh, një djalë u rrah dhe një tjetër u qëllua nga forcat ROSU. Serbët nuk dolën në barrikada, sepse janë të nervozuar, por ata janë të pafuqishëm. Të gjithë ju që kujdeseni për të drejtat e njeriut, nuk e ngritët zërin për këto dhunime, duke përdorur standarde të dyfishta”, ka thënë Biljana Pantiq-Pilja, kryesuese e delegacionit serb.
Edhe anëtarët e vendeve të tjera u kërkuan palëve që t’i shmangin tensionet dhe të kthehen në tryezën e negociatave. Kroacia, Turqia dhe Maqedonia e Veriut po ashtu bënë thirrje që Kosova të pranohet sa më shpejt në Këshillin e Evropës.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit të kaluar, por kjo çështje ende nuk është trajtuar nga mekanizmat e kësaj organizate.