LAJMET E MBRËMJES

Java Kundër Korrupsionit, tri OJQ në grevë njëditëshe

Java Kundër Korrupsionit ka nisur me grevë njëditore, si reagim ndaj mungesës së reformave dhe dështimit të institucioneve për të adresuar korrupsionin. Organizatat pjesëmarrëse thanë se greva është një thirrje për veprim, përgjegjësi dhe ndërprerje të praktikave që, sipas tyre, po e paralizojnë funksionimin e shtetit

Me grevë njëditore e ka filluar Javën Kundër Korrupsionit koalicioni i organizatave joqeveritare, i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO).
Greva, sipas organizatorëve, është shprehje pakënaqësie ndaj institucioneve për mungesë të reformave, si dhe thirrje për veprim e përgjegjësi.

Arrita Rezniqi, hulumtuese ligjore në IKD, tha se greva përçon mesazh të qartë kundër politikave që, sipas saj, po e paralizojnë funksionimin e shtetit.

“Vendosëm të hyjmë në grevë, sepse si organizata të shoqërisë civile në vazhdimësi kemi reaguar ndaj shkeljeve të ligjit, kapjes së institucioneve, stagnimit të reformave dhe kemi bërë thirrje për domosdoshmëri të luftës kundër korrupsionit. Kjo vazhdimësi e jona kemi paralajmëruar për fenomenet që sot janë bërë sistemike, por përkundër angazhimit tonë, analizave konkrete dhe rekomandimeve të ofruara, nuk ka pasur fatkeqësisht reagim nga institucionet shtetërore, nuk ka pasur reflektim dhe nuk ka pasur angazhim konkret në adresimin e këtyre çështjeve”, ka thënë Rezniqi. 

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, theksoi se ky institucion do të vazhdojë të mbetet i paanshëm, si parakusht për luftën kundër korrupsionit. 

Po ashtu, ai i vlerësoi sinjalizuesit si armën kryesore për luftimin e kësaj dukurie. 

“Nuk besojmë se ka mekanizëm më të rëndësishëm se sinjalizimi, duke përfshirë sinjalizimin e brendshëm apo të jashtëm, por edhe publik. Është angazhim i qartë i agjencisë, po besoj edhe i publikut që integriteti nuk është opsional, është detyrë e jona”, ka deklaruar Buleshkaj. 

E Burim Sadiku, udhëheqës i Divizionit të Strategjisë në këtë agjenci u shpreh se nga monitorimi i planeve të integritetit nëpër komuna janë zbuluar disa sfida.

“Nga monitorimi i planeve të integritetit në kontinuitet, janë identifikuar katër sfida. Sfida e parë është nënvlerësimi i rreziqeve reale. Kjo nuk vlen për të gjitha institucionet. Është mungesa e të dhënave çka e bën vlerësimin e rrezikut më shumë përcaktim sesa analizë. Qasja formale, kjo është te disa komuna. Nga ky raport i kemi 108 institucione që kanë raportuar në periudhën e parë. I kemi 15 institucione që nuk kanë raportuar, i kemi 13 institucione të cilave u kemi përcjellur kërkesë se kanë përditësimet e detyrueshme”, ka theksuar Sadiku. 

Java Antikorrupsion është aktivitet i përvjetshëm. Organizohet nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me Forumin Konsultativ të APK-së dhe shoqërinë civile.