Ish-zëvendëskomandanti i Zonës së Pashtrikut ka dëshmuar të hënën në Dhomat e Specializuara në Hagë, në rastin kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së. Ai e mohoi praninë e një hierarkie të tillë që shkonte deri te Shtabi i Përgjithshëm. Prokurori të shumtën e pyetjeve ia bëri duke iu referuar librit të dëshmitarit, me titullin “Ne jemi e ardhmja”
Sadik Halitjaha, ish-zëvendëskomandanti i Zonës së Pashtrikut, ka dëshmuar të hënën në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastin ku ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që ndërlidheshin edhe me librin e tij “Ne ishim e ardhmja”, ai u përgjigj se Shtabin e Përgjithshëm nuk e llogariste si pjesë e zinxhirit të tij komandues.
“Në paragrafin e dytë thuhet: në UÇK është respektuar zinxhiri komandues që nga Shtabi i Përgjithshëm, komandantët e zonave, komandantët e brigadave, komandantët e batalionit, komandantët e kompanive, komandant togu dhe komandant skuadre...Në asnjë mënyrë komandantët nuk ishin të privilegjuar, përkundrazi, kishin më shumë përgjegjësi dhe ishin gjithmonë më të rrezikuarit. A është i saktë ky informacion dëshmitar”, pyeti prokurori James Pace.
Halitjaha tha se figurë që e respektonte ishte Adem Demaçi dhe se i ka zbatuar dy urdhra të tij për mbrojtjen e civilëve gjatë bombardimeve të NATO-s dhe për mobilizim të përgjithshëm.
Komanda e UÇK-së gjatë luftës, sipas tij, funksiononte në nivel lokal, e jo në një mënyrë që i përgjigjej Shtabit të Përgjithshëm.
“Është e saktë, desha të shtoj se nga Shtabi i Përgjithshëm nuk kemi pasur urdhra me shkrim dhe nga Shtabi i Përgjithshëm nuk kemi pasur protokolle mes zonës dhe Shtabit të Përgjithshëm. Këto rregulla, krejt këtu çka shkruhen janë shumë të vërteta që nga niveli i zonës deri në nivelin e skuadrës është punuar me rregullore, sepse rregulloret i ka nxjerrë zona. Rregulloret i kemi bërë ne. Unë edhe Halil Qadraku me S1-shin Vesel Maliqin dhe kështu ka funksionuar vërtet zinxhiri komandues”, ka thënë ai.
Respekti për Adem Demaçin
Halitjaha ka thënë se figura e Adem Demaçit, që në një kohë të luftës ishte përfaqësues politik i UÇK-së, për të ishte e tejet e nderuar.
“E kam ditur se ai është duke e drejtuar luftën”, ka thënë ai.
Prokurori i ZPS-së, James Pace, u fokusua sërish duke e cituar librin e dëshmitarit, ku përmendet riorganizimi i UÇK-së. Pace pyeti për nivelet e organizimit dhe konfiguracionin e terrenit, çështje të shtjelluara në libër.
“’Riorganizimi nën nivel zone filloi më 26 nëntor 1998 dhe më pas në zona nga fundi i dhjetorit 1998 dhe në fillim të janarit 1999. Parimisht tri batalione bënin një brigadë dhe tri brigada bënin një zonë. Kishte gjithashtu edhe përjashtime në bazë të stadit organizativ e të konfiguracionit të terrenit. Ndarja filloi me qëllim të marrjes së përgjegjësive të kontrollit në terren. Me qëllim të komandimit e drejtimit, si dhe përgjegjësive, UÇK-ja pati Policinë Ushtarake (PU) nga njësia e Shtabit të Përgjithshëm deri në nivel brigade. Vetëm batalioni në këtë kohë pati njësi për shkak të specifikave të krijimit dhe terrenit që kishte’. A është i saktë ky informacion”, pyeti prokurori Pace, duke cituar librin “Ne ishim e ardhmja”.
Komandat dhe ushtarët të shkëputur fizikisht
Dëshmitari u përgjigj se pavarësisht emërtimit “zonë operative”, ajo nuk nënkupton një grup batalionesh të vendosura në një zonë të vetme.
“Ta plotësoj se këto zona nuk kanë mundur ta mbulojnë dhe kontrollojnë tërësinë e territorit të vet që e kanë pretenduar, që e kanë manovruar me luftime, sepse territori ka qenë i kontrolluar nga forcat armike më shumë se 80 për qind dhe ka qenë pjesë-pjesë i ndarë sikur që është lëkura e leopardit. Kështu që është e pamundshme dhe ka qenë e pamundshme të kontrollohej hapësira tërësisht ashtu siç janë ndarë zonat. Për Njësinë Policore të Batalionit të Budakovës ka qenë specifikë e veçantë, sepse Batalioni i Budakovës ka qenë i ndarë komplet nga njësitë e tjera me distancë gjeografike dhe derisa nuk kanë mundur të ndodhin edhe lidhjet mes njësive të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, duke qenë forcat serbe në mes, duke i kontrolluar ata rrugët kryesore, qytetet – dhe hapësirën kryesore të Kosovës, u desh të bëhej një përjashtim i vogël që të bëhej një skuadër policore në Batalionin e Budakovës”, u përgjigj dëshmitari.
Dëshmitari Halitjaha ka thënë se komandat e zonave mund të ishin shpesh të shkëputura nga luftëtarët e UÇK-së, që ishin vullnetarë. Për shtrirjen e UÇK-së dhe të moskomunikimit të njësive të ndryshme të saj, ai e përdori analogjinë e lëkurës së leopardit me plot lara. Për këtë referencë e pyeti Ben Emmerson, mbrojtës i Kadri Veselit.
“Çfarë lloj harte do t’ju ndihmonte juve për të na i përshkruar më mirë këto larat e leopardit që thatë”, pyeti Emmerson. Halitjaha tha se mungesa e qasjes në infrastrukturë dhe dominimi i forcave serbe në pjesët kryesore, ia imponoi UÇK-së që të qëndronte në male, me njësi që shpesh ishin të shkëputura mes vete fizikisht.
“Unë edhe po t’ua shpjegoj tash figurativisht me duart e mia një fshat, qoftë edhe tri fshatra nuk do ta kuptonit se ku kanë qenë ndarjet me pozicione. Këtë po e them se rrugët principiale, rrugët kryesore, qytetet, ndarja e pjesëve ku kanë dominuar forcat serbe e kanë shkëputur UÇK-në në majat e ndryshme të natyrës që ka qenë pjesë-pjesë, domethënë e shkëputur”, ka thënë Halitjaha.
Dëshmitari i 36-të i propozuar nga ZPS-ja është shprehur se pas luftës Jakup Muharremi, ish-ushtar i UÇK-së dhe kushëri i tij, i ka treguar se një pjesëtar tjetër, Skender Hoxha, e ka keqtrajtuar dhe e ka dërguar në Reti, ku po qëndronin pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm.
Dëshmitari përmendet në aktakuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për vrasjet e Latife dhe Rrushe Kolollit. Në këtë pjesë, thuhet se rreth 17 gushtit 1998, ato u ndaluan dhe u morën në pyetje në Budakovë për rreth tri orë me urdhër të Halitjahajt. Më pas, sipas aktakuzës, trupat e tyre u gjetën në Semetisht më 23 gusht. Nëndega e Organizatës së Veteraneve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Mushtisht pati njoftuar më 7 nëntor se Halitjaha është marrë nga Specialja.
Dëshmia e mësuesit
Dëshminë e përmbylli të hënën edhe dëshmitari i 35-të, mësimdhënës i rajonit të Drenasit, i cili dëshmoi lidhur me ndalimin dhe keqtrajtimin e tij në Likoc. Në pyetjen e gjyqtarit Chritoph Barthe se a mendon ende se është rrëmbyer nga UÇK-ja, ai tha se ishte ndaluar e keqtrajtuar nga ish-pjesëtarë të UÇK-së, porse nuk e di se kush e urdhëroi rrëmbimin e tij. Ai tha se ka pasur probleme me një familje në fshatin e tij dhe se ajo ka qenë shkak i ndalimit të tij. Për këtë, i ka shtruar pyetje edhe avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.
“Pra, ajo që ju ndodhi juve nuk kishte të bënte as me UÇK-në e as me luftën, apo jo dëshmitar", ka pyetur Kehoe. “Po”, është përgjigjur dëshmitari.
Dëshmitari i 35-të ka thënë se nuk e ka ditur që Jakup Krasniqi ishte pjesë Këshillit për Arsim të Drenasit në periudhën ‘96-‘98. Në bazë të versionit më pak të redaktuar të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023 për ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Kransiqi, si dhe ish-shefin e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Pretendimi i Prokurorisë është se ata janë përgjegjës për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj edhe tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999. Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm lidhur me krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.
Të akuzuarit, siç pretendohet në aktakuzë, janë përgjegjës personalisht në frikësimin, marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin e personave të ndaluar nëpër qendra ndalimi. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi kanë thënë se UÇK-ja nuk ka pasur hierarki të tillë që Shtabi i Përgjithshëm të kishte kontroll efektiv mbi komandat e zonave operative dhe komandat lokale, e as dijeni se cilat janë veprimet të cilat i kryejnë ato.