LAJMET E MBRËMJES

IKSHPK-ja apelon të vlohet uji, thotë se uji i turbullt vështirë të dezinfektohet

Turbullira mund të shkaktojë vështirësi në dezinfektimin e ujit të pijshëm, kanë thënë në IKSHPK, gjersa kanë bërë thirrje te qytetarët që ujin ta vlojnë para përdorimit. Nga kompania e Ujësjellësit “Prishtina” kanë paralajmëruar se për disa kohë do të ketë reduktime në furnizimin me ujë në kryeqytet e komunat që i furnizon.

Situata e krijuar nga vërshimet, përpos që ka shkaktuar dëme në infrastrukturë, amvisëri dhe ekonomi ka ndikuar edhe të uji i pijshëm.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka apeluar te qytetarët ta vlojnë ujin si masë e sigurisë për ta parandaluar shpërthimin e epidemive.

Burbuqe Nushi, koordinatorja e Departamentit për monitorimin e cilësisë së ujit në IKSHPK, ka thënë se uji i ndotur mund të shkaktojë sëmundje infektive.

“Turbullira e ngritur shkakton vështirësi në dezinfektimin e plotë të ujit për pije. Nëse s’ka dezinfektim, kemi rritje bakterore, nëse ka baktere atëherë çdo ujë me baktere provokon sëmundje kryesisht gastrointestinale, që do të thotë sëmundje të regjionit të barkut, të cilat përcillen me vjellje, diarre e kështu me radhë”, ka thënë Nushi.

Nushi ka thënë se përpos mikroorganizmave, uji i turbullt përmban edhe substanca kimike të cilat mund të shkaktojnë sëmundje kronike.

“Turbullira dinë me ataku ose me bashkëvepru edhe me ndotjen kimike. Mund të ndodhë që të ngrihen parametrat nitrate, nitrite, amoniaku, përçueshmëria e kështu me radhë. Por, çka është shumë e rëndësishme është që ndotja kimike nuk atakon aty për aty”, ka shtuar ajo.

E zëdhënësja e Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka thënë se për shkak të situatës së krijuar nga reshjet, kanë filluar me reduktime të ujit në disa zona.

“Ju njoftojmë se si shkak i reshjeve të dendura me vërshime, vazhdojmë të kemi turbullirë të lartë të ujit në kanalin e Ibrit. Për zonat e kryeqytetit, reduktime jemi shtrënguar të aplikojmë nga ora 23:00-5:00, përveç qendra e qytetit, QKUK, QKMF-të dhe Dardania”, ka thënë Mjeku.

Nga IPSHKPK, tash e disa ditë po bëjnë thirrje te qytetarët që ta vlojnë ujin para përdorimit.

Ata kanë thënë se qytetarët nëse kanë mundësi, t’i shfrytëzojnë resurset e sigurta ose ujin e ambalazhuar.