LAJMET E MBRËMJES

Haxhiu akuzon Serbinë se është strehë e kriminelëve që kanë kryer krime në Kosovë

Pas vetëm 24 orëve, gjykata në Beograd ka liruar Milan Radoiçiqin, terroristi që i priu grupit serb në sulmin ndaj policisë më 24 shtator në Zveçan. Arrestimi i djeshëm i tij, në Kosovë u cilësua farsë e presidentit Aleksandar Vuçiq, e lirimi i tij sot, sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është dëshmi se Beogradi qëndron parapa sulmeve të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Ajo po ashtu ka akuzuar Serbinë se është bërë strehë e kriminelëve që kanë kryer krime në Kosovë

Gjykata e Lartë në Serbi e ka lënë të lirë Milan Radoiçiqin, një ditë pasi u arrestua, duke e refuzuar kërkesën e prokurorisë për paraburgim prej 30 ditësh.

Ai u arrestua me dyshimet për prodhim dhe trafikim të armëve dhe vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e lartë në Beograd, pasi dëgjoi të pandehurin M.R për arsyet e caktimit të paraburgimit, refuzoi propozimin e Prokurorisë së lartë Publike në Beograd për të caktuar masën e paraburgimit për shkaqe ligjore të parapara me nenin 211 paragrafi 1 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, pra për shkak të rrezikut të arratisjes”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë në Beograd.

Gjykata njoftoi se Radoiçiqit i është konfiskuar përkohësisht pasaporta e Serbisë, i është ndaluar shkuarja në Kosovë dhe e ka detyruar që të paraqitet dy herë në muaj në stacionin më të afërt policor.

Arrestimi i djeshëm i tij, në Kosovë u cilësua farsë e presidentit Aleksandar Vuçiq, e lirimi i tij sot, sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është dëshmi se Beogradi qëndron parapa sulmeve të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Ajo tha se nuk pret bashkëpunim nga Serbia, e cila në vazhdimësi ka strehuar kriminelët që kanë kryer krime në Kosovë. Haxhiu ka paralajmëruar se shpejt do të lëshohet fletarrest ndërkombëtar për Radoiçiqin, i cili pranoi se ishte në krye të grupit terrorist.

“Unë jam shumë e bindur që terroristët të cilët kanë ikur në Serbi, siç është rasti edhe i terroristit Radoiçiq, përveç konfiskimeve, sekuestrimeve të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, mund të vonojë në kohë, për shkak të mungesës së bashkëpunimit të Serbisë, por nuk mund t’i ikë drejtësisë krimineli Radoiçiq dhe as të tjerët”, ka thënë Haxhiu.

Pjesëmarrja e Radoiçiqit në Banjskë u provua nga pamjet me dronë dhe vetëm më pas pranoi se ishte në grupin që e sulmoi policinë. Po ashtu dha edhe dorëheqje nga Lista Serbe, ku zyrtarisht mbante postin e nënkryetarit.

Ai me dhjetëra të tjerë arritën të iknin në Serbi, pas sulmit ku mbetën të vrarë edhe tre sulmues, ndërkohë u arrestuan disa të tjerë dhe u konfiskua sasi e madhe e armatimit.