Të ndjeshme e ka konsideruar situatën në Kosovë gjenerali turk Ozkan Ulutas, i cili që nga e marta do të drejtojë trupat e misionit të NATO-s në Kosovë. Në pranimin e komandës, ai tha se do të mundohet që të vazhdojnë sukseset e KFOR-it. Komandën Ulutasit ia dorëzoi komandanti i deritashëm, gjeneralmajori Angelo Michele Ristuccia. Për të, një vit në krye të KFOR-it ishte periudhë sfiduese e përcjellë me tensione
Flamurin e NATO-s, si simbolikë të drejtimit të misionit të saj në Kosovë, e pranoi të martën gjenerali turk Ozkan Ulutas.
Ulutas do ta zëvendësojë gjeneralmajorin italian Angelo Michele Ristuccia në udhëheqje të trupave të KFOR-it.
Në ceremoninë e dorëzim-pranimit të komandës së KFOR-it morën pjesë personalitete të shumta, si ish-presidentja Atifete Jahjaga, ministra të kabinetit qeveritar e diplomatë të akredituar në Kosovë.
Drejtimin e trupave të NATO-s, për një vit, ish-komandanti i KFOR-it, Angelo Ristuccia, e vlerësoi periudhë sfiduese.
Përmendi tensionet në dhjetor të vitit të kaluar, ato në maj, e edhe të fundit në shtator.
Tha se situatat e krijuara kërkojnë zgjidhje diplomatike.
“Vetëm një zgjidhje politike mund të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në këtë zonë. Për këtë KFOR-it mbështet dhe vazhdon të ofrojë mbështetje për dialogun e lehtësuar nga BE-ja e të mbështetur nga SHBA-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit”m tha Ristuccia.
Se nuk do të ketë punë të lehtë e pranoi edhe komandanti i ri i trupave të KFOR-it.
“Duke qenë i vetëdijshëm për përgjegjësinë që më është vënë në supe në këtë periudhë të ndjeshme që Kosova është duke kaluar, jam duke marrë komandën me vendosmërinë për të bërë të gjitha përpjekjet të siguroj që kjo njësi e dalluar të shërbejë suksesshëm në të ardhmen siç është bërë në të kaluarën”, tha Ulutas.
Udhëheqja e trupave të KFOR-it nga komandanti Risstucia u vlerësua në NATO.
Komandanti Stuart Munsch, po ashtu, përmendi angazhimin e NATO-s për të ofruar siguri në Kosovë, por edhe në rajon.
“Në drejtim të këtij fuqizimi të trupave, ky batalion është duke sjellë armatim më të rëndë për të shtuar fuqinë luftarake për KFOR-in. Dhe në fund, NATO-ja është duke mbajtur edhe më tej forcat, me armatim edhe më të rëndë për fuqi të mëtejshme luftarake, në gjendje të lartë gatishmërie që është i dislokueshëm nëse NATO-ja vendos ashtu”, tha Munsch.
Ulutas është komandanti i 28-ti që udhëheq misionin e NATO-s në Kosovë.