Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se presin që Greqia së shpejti ta njohë shtetin e Kosovës pasi më nuk ka asnjë dilemë rreth raporteve mes dy vendeve. Dilemat tha se janë hequr edhe sa i përket sigurimit të votave për anëtarësim në Këshillin e Evropës, megjithëse nuk dha ndonjë datë para deputetëve të Komisionit parlamentar për punë të jashtme se kur mund të ndodhë kjo
Me akuza e përplasje është shoqëruar raportimi njëorësh i ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në komisionin përkatës parlamentar. Kufizimi në kohë i raportimit dhe pamundësia e deputetëve për të ngritur çështje të ndryshme rreth diplomacisë, ka bërë që kryesuesja e Komisionit, Arbëreshë Kryeziu, të polemizojë me kolegët opozitarë në Kuvend.
Ministrja Gërvalla ka folur për sukseset e arritjet e Ministrisë si brenda ashtu edhe jashtë vendit, teksa ka përmendur mundësinë e një njohjeje të re dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
“Si kurrë më parë kemi prezencë të jashtëzakonshme dhe takime me ministra të rëndësishëm. Takim dypalësh me ministrat e jashtëm, Italisë, Suedisë, Portugalisë. Ka qenë ministri i Jashtëm i Emirateve Arabe, ai i Greqisë. Nuk ka muaj në të cilin në Kosovë nuk zbarkon një kryetar shteti, kryeministër apo ministër i jashtëm. Po ashtu me shtetet jonjohëse kemi marrëdhënie të mira. Pres që Greqia së shpejti të lëvizë drejt njohjes pasi nuk shoh asnjë dilemë rreth raporteve mes dy vendeve. Por, ne nuk ndërhyjmë pasi është çështje e një shteti sovran”, ka thënë Gërvalla.
“Sa i përket Këshillit të Evropës, është një opinion ligjor që është prezantuar në tetor të vitit të kaluar, i cili ka hequr dilemat rreth asaj se aplikimi ynë a i shkel rregullat e brendshme të KiE. Ka pasur një raportim që është kërkuar nga Komiteti Ministror, i cili në Strasburg përfaqësohet nga ambasadorët e shteteve anëtare për të drejtat e njeriut në Kosovë, i cili po ashtu ka qenë pozitiv për ne. Ka pasur konsultime të ndryshme të Presidencës së Këshillit të Evropës me shtete të ndryshme, duke përfshirë edhe shtetet jonjohëse. Tashmë askush nuk ka dilemë që votat i kemi të siguruara, kjo ka qenë sfida kryesore që partnerët tanë kanë menduar se do të jetë më e madhja. Votat janë siguruar dhe unë mendoj që nuk duhet të kalojë edhe shumë kohë, pasi janë shterur të gjitha procedurat për të kaluar kërkesën tonë nga Komiteti Ministror tek Asambleja Parlamentare e KiE”.
Por anëtari i PDK-së në Komision, Xhavit Haliti, ekspozenë e ministres e kualifikoi shpalosje të sukseseve në konferencë për media. Ai ngriti dyshime për mënyrën se si ambasadat dhe konsullatat po lëshojnë dokumentet personale.
“Kam përshtypjen që ambasadat tona janë shndërruar në ambasada biznesi, me pasaporta dhe me letërnjoftime dhe shtyhen me njëra-tjetrën se kush po fiton më shumë nga të hyrat që kanë nga dhënia e pasaportave dhe me shërbimet që u bëjnë azilantëve që kanë kërkuar strehim politik dhe kanë bërë deklarata kundër Kosovës, kundër gjendjes së tanishme në Kosovë. Është mirë që politikat shtetërore, por edhe politikat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të jenë të përcaktuara në raport me refugjatët, të cilët kanë kërkuar azil politik pas çlirimit të Kosovës. Pse e kanë kërkuar azilin, a duhet t’u jepen atyre pasaporta nëpër ambasadat tona dhe a duhet pranuar këta njerëz të cilët kanë gënjyer për kinse terrorin që po u bëhet atyre në Kosovë. Janë paraqitur shumë shqiptarë me emra të rrejshëm dhe me kombësi të rrejshme duke thënë se shqiptarët në Kosovë po na bëjnë presion dhe duke përdorur edhe fenë në këtë rast, se gjoja nuk ka liri fetare, ka theksuar Haliti.
Por Gërvalla ka mohuar se po keqpërdoren ambasadat rreth azilit, duke thënë se kërkesat e shumta kanë qenë vetëm në vitin 2015, kur ishte vala e madhe e migrimit ilegal. Sipas saj, është duke u punuar në një rregullore përmes së cilës do të ketë rishqyrtim të tarifave për pasaporta.
“Pasaportat që lëshohen në konsullatat tona, lëshohen në bazë të Ligjit për dokumentet e identitet, nëse ligji nuk e përfshin përjashtimin e ndokujt nga dhënia e këtij dokumenti , atëherë ambasadat nuk kanë hapësirë për t’ia ndaluar askujt dokumentin”, është shprehur Gërvalla.
E, Time Kadrijaj nga AAK-ja ka thënë se ministrja po shfaqet kundërthënëse kur flet për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
“Përnjëherë i keni shkarkuar 12 ambasadorë. Këndej po thoni se ka pasur pak, por i keni lanë ambasadat e konsullatat pa përfaqësim. Me këtë veprim jo që e keni forcuar, por e keni dëmtuar subjektivitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Po ashtu deri tash ka munguar edhe strategjia për lobim, e cila mund të bëhet në bashkëpunim me të tjerët”, ka thënë Kadrijaj.
Duke iu përgjigjur pyetjes së Fitore Pacollit (LVV) për reformën brenda MPJD-së, ministrja Gërvalla tha se kanë pasur drejtues dikasteresh e diplomatë që nuk e kanë përmbushur kriterin themelor për njohjen e gjuhëve të huaja.
Por anëtarja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, tha se ministrja ka shkelur ligjin me rastin e risistemimit të zyrtarëve brenda MPJD-së. Musliu-Shoshi po ashtu kritikoi pasardhësen e Haki Abazit në krye të Komisionit duke i thënë se po e drejton mbledhjen me direktiva të zyrtares së VV-së, Dejona Mihaili.
Akuzat përshkallëzuan kur u përmenden dyshimet për korrupsion ndaj ambasadorit Martin Berishaj.
Ministrja Gërvalla tha se të gjitha raportimet për ambasadorin Berishaj janë të pavërteta, derisa akuzoi opozitën se po bën fushatë të paparë kundër tij.
“Ju që më shumë bërtisni e dini shumë mirë se çfarë padrejtësie është ndaj ambasadorit Berishaj. Nuk janë mediat rajonale dhe të huaja, është një medium që merret me këtë çështje, e cila përtypet dhe ripërtypet këtu. Unë jam shumë kureshtare t’ju shoh në fund nëse a do të skuqeni apo jo që keni filluar fushata të papara kundër një personi me integritet”, ka thënë Gërvalla.
Shefja e diplomacisë paralajmëroi para deputetëve se së shpejti do të dalë ligji për diasporën, përmes të cilit synohen forcimi dhe rritja e rolit të mërgatës.