LAJMET E MBRËMJES

Gërvalla mohon mospajtimet me Kurtin, i quan naive përpjekjet për t'i përçarë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka mohuar raportimet për përçarje brenda koalicionit qeverisës. Sipas saj, ai është stabil derisa përpjekjet për t’i përçarë, sipas saj, janë naive. Dyshimet për mospajtime brenda partnerëve të koalicionit qeverisës i ka shprehur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, sipas së cilës kryeministri Kurti ka shpërfillur ministren Gërvalla në agjendën e tij ndërkombëtare

Bashkëkryetarja e Listës Guxo dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka mohuar të ketë përçarje brenda koalicionit qeverisës. Ajo ka thënë se është në linjë të njëjtë me kryeministrin Albin Kurti edhe sa i përket marrëveshjes me Serbinë dhe aneksin për zbatim të saj.

“Të gjithë hapat që i bëjmë edhe në raport me (marrëveshjen) e Brukselit e atë të Ohrit dhe në raport me të gjitha vendimet që marrim nuk është sekret që ne kemi një takim të rregullt të udhëheqësve të institucioneve më të larta të shtetit”, ka thënë Gërvall për Kosovapress.

Ajo ka thënë se është pjesë e të gjitha proceseve.

“Jam pjesë e të gjitha proceseve. Përpjekjet janë shumë naive për të na paraqitur sikur kemi qëndrime të ndryshme. Qëndrimet janë të Republikës së Kosovës, nuk janë individuale, as të kryeministrit, as të kryetarit të Kuvendit dhe as të ministres”, ka theksuar Gërvalla.

Por, dyshimet për mospajtime brenda partnerëve të koalicionit qeverisës ka paraqitur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi. Sipas saj, kryeministri Kurti po e shpërfill vazhdimisht ministren Gërvalla.

“Unë jam thellë e bindur se zotëri Kurti e ka kuptuar se zonja Gërvalla nuk e ka idenë se çka është politika e jashtme. E kemi parë se nuk është pjesë as e delegacionit në dialog dhe nuk ka informata sa u përket vendimeve që i merr qoftë presidentja apo kryeministri. Nuk është pjesë e asnjë takimi formal të presidentes dhe kryeministrit. Vetë kjo pasqyrë të jep idenë të kuptosh se nuk është pjesë e formës së zhvillimit të politikës së jashtme”, ka thënë ajo.

Edhe pse janë pjesë të koalicionit, Gërvalla dhe deputetët e Partisë Guxo, që janë pjesë e grupit parlamentar të Vetëvendosjes nuk kanë qenë shumë të zëshëm pas arritjes së marrëveshjes bazë me Serbinë. Kjo u ka dhënë shkas dyshimeve për mundësinë e mospajtimeve brenda kabinetit qeveritar.

Partia Guxo bashkëkryesohet prej Donika Gërvallës dhe Faton Pecit, i cili është edhe ministër i Bujqësisë në kabinetin qeveritar të kryeministrit Albin Kurti.

Por, në zgjedhjet e 2021, Lista Guxo ka garuar në listë të Vetëvendosjes. Ajo është udhëhequr nga presidentja Vjosa Osmani, e cila pas marrjes së postit ka dhënë dorëheqje nga obligimet partiake.

Por, ka qenë vetë Osmani që në takimet me diplomatët dhe në pjesëmarrjet e saj në panelet ndërkombëtare ia ka dhënë mbështetjen e plotë Marrëveshjes së Ohrit. Madje ajo e ka vlerësuar këtë marrëveshje si momentum të ri për njohjet e Kosovës dhe pranimin e saj në organizata ndërkombëtare.

“Nëse krahasohet me çfarëdo marrëveshjeje në 12 vjetët e shkuar të dialogut, kjo marrëveshje është bërë në mes të dy palëve kontraktuese, palëve të barabarta, shteteve të barabarta”, ka thënë Osmani, në panelin e diskutimit në Akademinë diplomatike të Vjenës dhe Institutit austriak për politikat evropiane dhe të sigurisë.

Osmani ka rikujtuar se brenda marrëveshjes është saktësuar respektimi i parimit të integritetit territorial e sovranitetin dhe si e tillë ajo është ligjërisht e obligueshme.