LAJMET E MBRËMJES

Gërvalla i del në krah ambasadorit Berishaj, opozita akuzon institucionet për mbrojtjen e tij

Ministrja Donika Gërvalla e ka mbrojtur sërish ambasadorin Martin Berishaj. Ajo ka deklaruar se nuk e shkarkon një ambasador bazuar në, siç u shpreh, spekulime të mediave. Për deklaratën e Gërvallës ka reaguar Partia Demokratike e Kosovës, e për rastin e ambasadorit, ndaj të cilit është dorëzuar kallëzim penal për shmangie të taksave, Partia Socialdemokrate ka mbajtur një aksion.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka dalë në mbrojtje ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ndaj të cilit së fundmi është dorëzuar kallëzim penal për shmangie të taksave.

Gërvalla të hënën, pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, tha se nuk ka asnjë informatë zyrtare se Berishaj ka bërë ndonjë shkelje dhe, sipas saj, nuk mund të shkarkohet një ambasador bazuar në, siç tha ajo, spekulime mediatike.

“Ai shkarkohet kur ka arsye faktike. Deri në këtë moment unë nuk kam asnjë informacion të vetëm zyrtar që shkelje të tilla kanë ndodhur”, ka theksuar Gërvalla.

Për këtë deklaratë ka reaguar partia opozitare PDK. Nënkryetarja e saj, Vlora Çitaku, ka thënë se tashmë nuk mjafton dorëheqja, por se Berishaj duhet të kthehet në Kosovë dhe të përballet me drejtësinë.

E bashkëpartiaku i saj, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit akuzoi kryeministrin dhe presidenten si të përfshirë në rastin “Berishaj”.

“Mosadresimi i këtyre akuzave as nga presidentja e as nga kryeministri i bën përgjegjës direkt. Ata me gjasë janë të përfshirë në këtë aferë. Si po duket, z. Berishaj po të shkojë, shkon bashkë me ta”, ka thënë Tahiri.

Për rastin e ambasadorit Berishaj, Partia Socialdemokrate të hënën mbajti një aksion para objektit të Ministrisë së Punëve të Jashtme duke zëvendësuar flamujt e Kosovës dhe të Bashkimit Evropian me flamuj ku ishte kartëmonedha 500-euroshe me portretin e ambasadorit Martin Berishaj në të.

Nol Nushi, sekretar organizativ i PSD-së, ka akuzuar presidenten, kryeministrin e ministren e Punëve të Jashtme si të përfshirë në rastin “Berishaj”.

“Mbrojtja e pakusht që po i bëhet atij është e pakuptueshme. Prokuroria me shumë gjasë tashmë ka ngritur kallëzim penal, ende e pakonfirmuar. Fshehja e biznesit ka ndodhur, mosshkarkimi i tij, neve na bën që këtu shiriti i shkeljes mbërrin deri te Presidenca, kryeministri Kurti e deri te Gërvalla. Nuk do t’i lëmë rehat institucionet deri në shkarkimin e tij”, ka deklaruar Nushi.

Sipas burimeve të KOHËS, kallëzimi penal kundër tij është dorëzuar në Prokurorinë Speciale pas hetimit preliminar të nisur muaj më parë.

Dyshimet janë që Berishaj ka përfituar së paku 1.5 milionë euro nga kompania GEN me seli në Serbi për periudhën 2019 e deri në prillin e vitit 2022.

Sipas këtyre burimeve, këto para janë transferuar në xhirollogari të kompanisë së Berishajt në një nga bankat me seli në Kosovë. Transferet janë bërë me përshkrim si pagesa për konsulencë.

Pretendohet që për paratë që i janë paguar gjatë kësaj kohe, kompania e Berishajt është dashur t’i paguajë tatimet në vlerë të 73 mijë eurove, por që, sipas tyre, nuk janë bërë.