Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Fillon shembja e 11 vilave të ngritura ilegalisht në zonën e Ujmanit

Vilat - Ujman - shembja

Rezana Bozhlani   

 

Autoritetet kanë nisur aksionin për rrënimin e 11 vilave të ngritura ilegalisht, në zonën e Liqenit të Ujmanit, që ndodhet në veriun e banuar kryesisht me serbë.

Veprimi u mor me kërkesë të ndërmarrjes publike hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, në pronën e së cilës u ngritën objektet.

Në Polici thanë se ofruan mbështetje për aksionin.

Edhe Rrënohen 11 vila në pronën e Ibër-Lepencit në Ujman Arbëri Rrënohen 11 vila në pronën e Ibër-Lepencit në Ujman

Drejtori i planifikimit dhe vlerësimit operacional në stacionin e Policisë në Mitrovicë, Erduan Baliqi, tha se ai do të përmbyllet shpejt.

“Po thuajse janë në përfundim së shpejti do përfundojnë, megjithatë derisa të përfundojnë ne jemi këtu për sigurinë e tyre. Në fakt kur kemi ardh në mëngjes sipas Ibër-Lepencit dy shtëpi kanë qenë me banorë mirëpo ata banorë për gjysmë ore besojë që e kanë liru shtëpinë dhe kanë vazhdu”, tha Baliqi. 

Para një muaji janë rrënuar 5 vilat e para në fshatin Çeçevë. 

Autoritetet kanë thënë se meqë Liqeni i Ujmanit së bashku me malin Mokna tashmë janë zona të mbrojtura, kanë përgjegjësi, pos për pronën, edhe për ruajtjen e ambientit.

Drejtori i “Ibër Lepencit, Faruk Mujka, tha se do të rrënohen të gjitha objektet që identifikohen në këto zona.

Edhe Rrënohen edhe gjashtë objekte ilegale pranë liqenit të Ujmanit Arbëri Rrënohen edhe gjashtë objekte ilegale pranë liqenit të Ujmanit

“Ndërmarrja ka identifikuar pronat e saj të uzurpuara nga ndërtimet apo shfrytëzimet ilegale dhe ka bërë kërkesë pranë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nëpërmes Inspektoratit të Ministrisë, që t’i kthejë ato në gjendjen e mëparshme. Aksioni do të vazhdojë deri në lirimin e të gjitha pronave publike”, tha Mujka. 

Në veri, ku u zhvillua aksioni, veprojnë struktura ilegale të Serbisë. Disa pronarë të vilave kanë thënë se parcelat i kishin marrë në shfrytëzim nga ndërmarrja publike serbe “Serbija Shume” dhe se për to kishin paguar qira. Por, në “Ibër-Lepenc” kanë thënë se toka është pronë publike e Kosovës, nën administrimin e saj dhe se për të nuk mund të vendosë asnjë ndërmarrje serbe.