Në zonat përreth liqenit të Ujmanit mëngjesin e së martës ka nisur rrënimi i 11 shtëpive me kërkesë të ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, pasi ato gjenden në pronë të kësaj ndërmarrje.
Aksionin e ka konfirmuar për KOHËN kryeshefi ekzekutiv i “Ibër Lepencit”, Faruk Mujka, aksion të cilin ka thënë se po e zhvillon Inspektorati i Ministrisë së Ambientit.
Mujka ka thënë gjithashtu se 11 “pronarëve” u ishte kërkuar që nga 3 korriku t’i lirojnë këto objekte e të heqin gjësendet e tyre.
“Ata nuk e kanë bërë këtë gjë, kështu që ne kemi lajmëruar inspektoratin dhe ata kanë shkuar sot për të kryer punë. Njëherë pritet t’i largojnë të gjitha gjërat nga shtëpitë e mandej t’i rrënojnë ato”, ka thënë Mujka.
Mujka ka theksuar se aksioni do të vazhdoj deri në lirimin e të gjitha pronave publike.
Edhe
Fillon shembja e 11 vilave të ngritura ilegalisht në zonën e Ujmanit
"Rrënimi ka filluar para 1 muaji me 5 villat e para në fshatin Çeçevë. Liqeni i Ujmanit së bashku me malin Mokna tashmë janë zona të mbrojtura dhe ne kemi përgjegjësi pos për pronën edhe për ruajtjen e ambientit pasi që uji i Ujmanit përdoret për pije nga ku furnizohen rreth 600.000 banorë në 9 komuna të Republikës së Kosovës. Ndërmarrja ka identifikuar pronat e saja të uzurpuara nga ndërtimet apo shfrytëzimet ilegale dhe ka bërë kërkesë pranë MMPH nëpërmes Inspektoratit të Ministrisë që t’i kthej ato në gjendjen e mëparshme", theksoi ai.
Ky aksion u asistua edhe nga Policia e Kosovës, ka konfirmuar për KOHËN zëvendësdrejtori për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Ai ka thënë se aksioni u zhvillua konkretisht në Zubin Potok ku është planifikuar rrënimi i 11 shtëpive pushimi.
“Sot nga ora 07:00 kemi filluar asistimin e Ibër-Lepencit dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Jemi duke asistuar në vendin e quajtur ‘Plazha e Shqiptarëve’, Zubin-Potok ku është planifikuar të rrënohen 11 shtëpi pushimi (vikendica)”, ka thënë Elshani.
E Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë ka reaguar ndaj rrënimit të vilave. E ka quajtur “akt të ri paligjshmërie dhe terrori nga Albin Kurti”.
Në reagim thuhet se "rrënimi i vilave u bë pa asnjë vendim gjykate".
“Pronarët mësuan për prishjen e pronës së tyre, të cilën e kishin fituar gjatë viteve, nga një njoftim i vendosur në objektet e tyre. Dhe kur kërkuan një vendim gjykate sot, ata nuk e morën atë. E gjithë kjo tregon se këto rrënime nuk u kryen me qëllim të zbatimit të ndonjë ligji, por përkundrazi për një arsye politike që tregon se për Prishtinën, politika e forcës është më e fortë se respektimi i të gjitha rregulloreve kur bëhet fjalë për serbët”, thuhet në reagim.
Edhe
Aksion për rrënimin e objekteve pa leje në Rezallë të Zubin-Potokut
Në reagim thuhet se "Komuna e Zubin-Potokut s’dha leje për rrënimin e vilave dhe se pronarët kishin ofruar lloje të marrëveshjeve e kompromise për zgjidhjen e rastit".
“Përfaqësuesit ndërkombëtarë duhet t’i japin fund kësaj shkeljeje të të gjitha rregulloreve dhe të drejtave të popullit serb në Kosovë dhe Metohi dhe të angazhohen aktivisht në mbrojtjen e tyre”, thuhet në reagim.