Një aksion ka nisur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Rezallë të Zubin-Potokut, ku po bëhet rrënimi i disa objekteve të ndërtuara pa leje, shtëpi-pushimi
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, e ka konfirmuar se Policia po asiston Ministrinë e Mjedisit në zhvillimin e aksionit.
“Policia, përkatësisht njësitë përkatëse, janë duke asistuar në një aksion të inspektorëve të Ministrisë së Mjedisit”, ka konfirmuar Veton Elshani.
Aksioni është duke vazhduar, ndërsa priten detaje të tjera lidhur me objektet që po rrënohen dhe arsyetimin e vendimit për rrënimin e tyre.
Aksione të ngjashme janë zhvilluar edhe më herët gjatë këtij vitit ne veri.
Në korrik është zhvilluar aksioni për rrënimin e disa objekteve të ngritura ilegalisht, në zonën e Liqenit të Ujmanit, që ndodhet në veriun e banuar kryesisht me serbë.
Veprimi është marrë me kërkesë të ndërmarrjes publike hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, në pronën e së cilës u ngritën objektet.
Në veri, ku është zhvilluar aksioni, veprojnë struktura ilegale të Serbisë. Disa pronarë të vilave kanë thënë se parcelat i kishin marrë në shfrytëzim nga ndërmarrja publike serbe “Serbija Shume” dhe se për to kishin paguar qira. Por, në “Ibër-Lepenc” kanë thënë se toka është pronë publike e Kosovës, nën administrimin e saj dhe se për të nuk mund të vendosë asnjë ndërmarrje serbe.