LAJMET E MBRËMJES

Escobar: Plani evropian siguron paqe afatgjate dhe integrim në strukturat euroatlantike

I dërguari i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, një ditë para takimit të Ohrit ka takuar liderët e Kosovës. Ai e ka bërë të qartë se Kosova e Serbia nuk duhet ta humbin shansin për ta nënshkruar propozimin e Bashkimit Evropian të shtunën në Ohër, të cilin e sheh si mundësi ideale që të dyja vendet të integrohen plotësisht në strukturat euroatlantike

Emisari i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Gabriel Escobar, e ka kualifikuar të premten si mundësi të jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme dhe zhbllokim të potencialit në rajonin e Ballkanit propozimin e Bashkimit Evropian për Kosovën e Serbinë. Pas diskutimeve me liderët e shtetit, një ditë para takimit të Ohrit, ku është paralajmëruar nënshkrimi i planit të BE-së, diplomati amerikan është shprehur optimist se palët do ta pranojnë atë.

“Ky propozim evropian i lehtësuar përmes dialogut të BE-së ofron një mundësi të jashtëzakonshme për paqe dhe të qëndrueshme mes dy vendeve të rëndësishme të rajonit. Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë, ne kemi qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën, por jo vetëm për Kosovën por për tërë rajonin që të zhbllokohen disa prej atyre burimeve që Ballkani ia siguron vetes, por edhe krejt Evropës. Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër dhe jam shumë optimist për mundësitë për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë. Shpresoj se pas së shtunës do të kemi lajme të mira”, ka thënë Escobar. “Ne kemi për qëllim të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësi për Kosovën, Serbinë dhe pjesën tjetër të rajonit që të bëhen anëtare të plota të komunitetit euroatlantik”.

E presidentja Vjosa Osmani në deklarimin e përbashkët për media me Escobarin, ku nuk u lejuan edhe pyetjet e gazetarëve, ka deklaruar se tendencat e Serbisë për të vënë kushte mund ta dëmtojnë në tërësi procesin e dialogut.

“Në besojmë që një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ku trajtohemi si dy shtete të barabarta është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi si dhe me shpresë për një rezultat pozitiv... Është me rëndësi të përsëris që rendi kushtetues i Kosovës, integriteti territorial, e sovraniteti i vendit si dhe funksionaliteti i brendshëm i Kosovës, të ruhen me çdo kusht në çdo proces negociator”, ka thënë Osmani.

Ajo pa shprehur pritshmërinë se marrëveshja do të sjellë rezultate konkrete të prekshme, si dhe do të sigurojë integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike.

“Do të sigurojë integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serbe në institucionet e Republikës, kjo do të rezultojë pastaj më shpërbërjen efektive dhe të menjëhershme të strukturave ilegale të Serbisë, po ashtu kjo marrëveshje përfshin parime të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilat do ta shtrojnë rrugën drejt njohjes reciproke”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka thënë se është e rëndësishme që sovraniteti e integriteti territorial i vendit të ruhen në çdo proces.

Veç presidentes, Escobari ka takuar edhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, e kryeministrin Albin Kurti.

Kryeparlamentari Konjufca e ka cilësuar moment të rëndësishëm propozimin evropian, teksa ka shtuar se megjithatë asnjëherë nuk do ta humbë fokusin nga njohja e plotë.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon. Gjithashtu, për dallim nga Serbia si palë minuese, Republika e Kosovës ka luajtur rol konstruktiv përgjatë gjithë procesit të dialogut, përfshirë edhe takimin e 27 shkurtit në Bruksel. Ritheksova se asnjëherë nuk do ta humbim fokusin nga njohja e plotë, dhe se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në procesin e dialogut me Serbinë duhet të respektojë në plotni sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca në Facebook pas takimit.

Ndërkaq kryeministri Kurti citohet të ketë thënë se propozimi evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër.

“U diskutua për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim. Ai falënderoi z. Escobar për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog. Propozimi evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë”, shkruan në komunikatën Qeverisë.

Dokumenti i propozuar nga Bashkimi Evropian nuk e ka njohjen reciproke në qendër për të cilën insistonte kryeministri Kurti. Megjithatë, Escobar dhe diplomatë tjerë amerikanë kanë thënë se ujdia aktuale shpie drejt njohjes së ndërsjellë më vonë.

Kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë pajtuar për përmbajtjen e planit evropian, në takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel. Por, nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët për udhërrëfyesin për zbatimin e tij. Dakordimi synohet të mbërrihet në takimin që Kurti e Vuçiq do ta kenë të shtunën në Ohër, ku palët kanë mbërritur pasditen e së premtes.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili do ta lehtësojë dialogun, e ka kualifikuar takimin e së shtunës në Ohër mes liderëve të Kosovës dhe të Serbisë si një “rast që nuk duhet humbur”. Ai në një konferencë për media, pas takimit që e zhvilloi me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevan Pendarovski, ka thënë se Kosova dhe Serbia tashmë kanë ofruar komentet e tyre për aneksin e implementimit të Planit evropian, për përmbajtjen e së cilës kryeministri Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, janë pajtuar më 27 shkurt në Bruksel. Sipas tij, takimi i 18 marsit do të shërbejë për t’i definuar hapat praktikë për implementim.

“Kemi histori të gjatë të marrëveshjeve që nuk janë implementuar kurrë. E kjo duhet të jetë e implementueshme. Duhet të pajtohemi si dhe kur ta implementojmë. Vij në Ohër me shpresën që përballem me mundësi unike për Kosovën dhe Serbinë për të lëvizur përpara e për të bërë progres për t’i normalizuar raportet. Në praninë tuaj, theksoj se kjo mundësi duhet të përdoret sepse askush s’përfiton më shumë sesa popujt e Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Borrell.

E nëpërmjet një postimi në Twitter, ai ka njoftuar se mbi takimin e ardhshëm Kosovë-Serbi e ka informuar edhe sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Në prag të takimit në Ohër, diplomati gjerman Wolfgang Ischinger, u ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që ta bëjnë një hap besimi përpara. Duke përmendur takimin e 18 marsit në Ohër, ai ka thënë se të dy do ta kenë një mundësi historike që të tregojnë guxim dhe lidership politik. Sipas Ischingerit, Ballkanit Perëndimor i duhet kjo pikë kthese.

“Koha për vendime të guximshme për të kapërcyer pengesat e së kaluarës ka ardhur, duke hapur rrugën drejt bashkëpunimit rajonal dhe anëtarësimit të ardhshëm në Bashkimin Evropian”, ka shkruar ai për “Politico”.

Prosperitetin e plotë të Ballkanit Perëndimor, Ischinger e sheh vetëm nëse marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vihet përfundimisht në një bazë të qëndrueshme dhe bashkëpunuese.

Ischinger ka thënë se shumë gjëra kanë ndryshuar që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ndërkohë ka ngritur shqetësimin e një konflikti duke përmendur tensionet e fundit në veri të Kosovës.

“Përderisa dy shtetet mbeten të lidhura me qasjen e konfrontimit, ato nuk do të mund ta kuptojnë potencialin e tyre të plotë të rolit që kanë për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin. Ngjarjet e fundit në veri të Kosovës edhe një herë dëshmuan rreziqet e përshkallëzimit – madje edhe të konfliktit të madh – për çka nevojitet veprim urgjent sa i përket çështjes së statusit të pazgjidhur të Kosovës dhe atë të të drejtave të pakicës serbe”, është shprehur ai.

Përderisa ka përmendur Propozimin evropian, Ischinger përfundimin e suksesshëm të bisedimeve e sheh të qartë.

“Por zgjidhja është e qartë: Serbia duhet ta pranojë faktin se Kosova është këtu për të qëndruar, përfshirë edhe në skenën ndërkombëtare. Dhe Kosova duhet të pajtohet me domosdoshmërinë e adresimit të shqetësimeve të pakicës së saj serbe, duke përfshirë pranimin e formimit të parashikuar të një asociacioni të komunave me shumicë serbe”.

“Bëjeni pikën tuaj të kthesës – tani”, ka shkruar Ischinger.

Të shtunën në Ohër do ta takohen kryeministri Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku temë diskutimi do të jetë udhërrëfyesi për zbatimin e propozimit të Bashkimit Evropian. Përfaqësuesit e lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe Miroslav Lajçak, kanë shfaqur shpresën se palët do ta nënshkruajnë marrëveshjen dhe planin e zbatimit.