Një eksperte e forenzikës linguistike ka dëshmuar në gjykimin e ish-presidentit Hashim Thaçi për pengim të administrimit të drejtësisë. Ekspertja australiane që është e specializuar në deshifrimin e audiove që pakkush i kupton i ka thënë gjykatës se prokuroria ka përpiluar transkripte që në aspekt shkencor janë me besueshmëri të ulët
Ekspertja e Forenzikës lingistike, Helen Fraser, i ka thënë Gjykatës Speciale se transkriptet e përgjimeve të prokurorisë kanë besueshmëri të ulët.
Këtë deklarim, ajo e ka dhënë të hënën tek i është përgjigjur mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, në rastin ku ai dhe ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ish-drejtori i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu, akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në këtë rast çfarë përfundimi keni ju lidhur me kredibilitetin dhe besueshmërinë e transkripteve të ZPS-së mbështetur në informacionin që ua kemi dhënë ju?”, ka pyetur Sophie Menegon, avokate e Thaçit.
E Fraser është përgjigjur se një proces gjyqësor nuk mund të mbështetet në këto transkripte.
“Mbështetshmëria është e ulët. Jo në kuptimin që të them unë me siguri që transkriptet janë të gabuara se nuk mund ta them dot këtë gjë, por mund të them se nuk mund të mbështetemi në to si transkripte mjaftueshëm të sakta për procesin gjyqësor”, ka thënë ajo.
Ekspertja nga Australia që ka thënë se ka dhënë dëshmi në rreth 100 gjykime dhe se i është marrë parasysh dëshmia nga gjykatat, ka theksuar se jo çdokush di ta transkriptojë atë që nuk dëgjohet.
“Transkriptimi është i thjeshtë, e vështirë është ta përcaktosh cilat janë fjalët që janë thënë; kjo është një aftësi shumë e rrallë dhe është shumë e specializuar për këtë nuk mund ta trajnosh një person apo ta marrësh në provim apo ta testosh, siç ndodh rëndom për linguistikën apo për transkriptimet burokratike”, ka deklaruar ajo.
Fraser u është përgjigjur edhe pyetjeve të prokurorit Joshua Hafetz, duke thënë se ka qenë në gjendje të dallojë pëshpërima në audiot që janë pjesë e dosjes së prokurorisë në këtë rast.
Zyra e Prokurorit të Specializuar pritet t’i parashtrojë asaj pyetje edhe të martën.
Në rastin për pengim të drejtësisë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për tentativë të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës.
Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për mosbindje ndaj gjykatës, e Kuçi ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
ZPS-ja pretendon se Thaçi u ka dhënë udhëzime të akuzuarve të tjerë gjatë vizitave të tyre në qendrën e paraburgimit për t’u çuar fjalë dëshmitarëve se si ata duhet të dëshmojnë për rastin më të madh të Speciales për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ku pos Thaçit të akuzuar janë edhe: Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.