Në Dhomat e Specializuara, të premten ka nisur gjykimi ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve për pengim të administrimit të drejtësisë. Prokuroria ka paraqitur disa audio-incizime, duke pretenduar se në to dëgjohet Thaçi duke i dhënë udhëzime Fadil Fazliut për të ndikuar te dëshmitarët për rastin tjetër të tij për krime lufte. Pos Thaçit e Fazliut, të akuzuar në këtë rast janë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuqi
Zyra e Prokurorit të Speciales ka publikuar audio-incizime përmes të cilave pretendon se Hashim Thaçi e udhëzoi Fadil Fazliun për të ndikuar në dëshmitarë për rastin më të madh të kësaj gjykate, ku është edhe vetë i pandehur.
Publikimi i audiove është pjesë e rastit tjetër, ku Thaçi dhe disa të tjerë akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë.
Sipas Prokurorisë, në audio dëgjohet se si Thaçi i tregon Fazliut për Rrustem Mustafën se kur do të udhëtojë për Hagë dhe se çfarë duhet t’i thotë atij lidhur me dëshminë.
Prokuroria pretendon se Thaçi e udhëzoi Fazliun që t’i thotë Mustafës që të deklarohet shkurt dhe të mos filozofojë.
“Thuaj shkurt, po, jo, mos filozofo”, ka thënë Thaçi, sipas audio-incizimit të ZPS-së.
Edhe
ZPS: Kemi nëntë audio-incizime të Thaçit në qendrën e paraburgimit në Hagë
Më vonë, sipas prokurorisë, ai thotë se të dëshmojë shkurt e jo 12 orë siç ishte planifikuar. “Shkurt jo 12 orë, se 12 orë pa rrëshqit diku nuk e lë”.
Prokuroria ka publikuar edhe fotografi, ku gjatë bastisjeve në nëntor të 2023-s, në shtëpinë e Isni Kilajt janë gjetur copëza letre të grisura, e që organi i akuzës pretendon se ishte dëshmia e një dëshmitari të mbrojtur në rastin kundër Thaçit për krime lufte, ku të akuzuar janë edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
“Copat e grisura janë ngjitur nga ekspertë dhe rezultatet tregojnë se kjo letër është deklarata konfidenciale e dëshmitarit numër 4. Po ashtu është e njëjta pjesë që Thaçi kërkonte që dëshmitari ta ndryshonte gjatë vizitës që Kilaj i bëri Thaçit. Thaçi ka printuar po të njëjtën deklaratë dy ditë para se të takonte Kilaj. Pëshpërimat e Thaçit nuk janë e vetmja provë, por është prova që konfirmohet nga prova të tjera”, ka thënë prokurori Joshua Hafetz.
Prokurori Hafetz tha se Hashim Thaçi e ka kthyer objektin e paraburgimit në Hagë, në një qendër pengimi të procesit përmes vizitave të tij me bashkëpunëtorë.
“Thaçi i shkeli të gjitha rregullat e paraburgimit dhe konfidencialitetit të DhSK-së dhe e shfrytëzoj sistemin dhe veten e tij. Ai e kthehu objektin e paraburgimit me anë të vizitave të tij me bashkëpunëtorët në një qendër të pengimit dhe në mënyrë të vazhdueshme i ka shënjestruar dëshmitarët që të kryhet ndërhyrje ndaj tyre”, ka deklaruar ai.
E kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, theksoi se Thaçi në mënyrë të vazhdueshme ka ndërhyrë në dëshmitarë dhe ka shkelur urdhra gjyqësorë.
“Hashim Thaçi është i akuzuar se në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme ka vazhduar që të ndërhyjë në dëshmitarë dhe ka shkelur të gjithë urdhrat e gjykatës të cilët kanë synuar mbrojtjen e informacionit konfidencial. Të akuzuarit kanë marrë pjesë në mënyrë të paligjshme në kryerjen e këtyre krimeve”, është shprehur ajo.
Të akuzuar për pengim të administrimit të drejtësisë, pos Thaçit janë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu e Hajredin Kuqi.
Avokatët mbrojtës të Bashkim Smakajt dhe të Isni Kilajt të premten i kanë mohuar pretendimet e ZPS-së se të akuzuarit kanë marrë udhëzime nga Thaqi gjatë takimeve të tyre në Hagë lidhur me dëshmitarët.
Avokati i Isni Kilajt, Ian Edwards, tha se Prokuroria nuk ka asnjë provë që dëshmon se Kilaj ka marrë për bazë “udhëzimet”, siç pretendon organi ndjekës, të Thaçit gjatë takimit të 6 tetorit.
Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu, tha ai, për disa orë më 6 tetor u takuan me Thaçin, me të cilën folën për jetën, UÇK-në, si miq të vjetër që janë.
Edhe
Ekspertja në rastin e Thaçit për pengim të drejtësisë shqyrtoi vetëm 8 nga 348 materialet audio
“Nuk ka asnjë provë të ketë bërë diçka në bazë të vizitës që ka pasur në Hagë”, tha Edëards, duke shtuar se dëshmitari 4 ka dëshmuar se Kilajn për herë të fundit e ka takuar më 2017-2018.
Ai mohoi se Kilaj ka ndikuar te dëshmitarët se si të dëshmojnë në Hagë.
E avokati i Smakajt, Jonathan Rees, tha se klienti i tij asnjëherë nuk ka diskutuar me Bislim Zyrapin për dëshminë e tij në Hagë.
“Smakaj, pavarësisht se ka qenë mik me Bislim Zyrapin dhe është takuar me të rregullisht, nuk ka pasur diskutime me Zyrapin lidhur me dëshminë e tij për çështjen 6 [për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit] dhe nuk i ka treguar asnjë dokument lidhur me të”, tha Rees.
Sa i përket dokumentit që ZPS thotë se ia gjeti në veturë Smakajt, mbrojtja e tij tha se nuk ka asnjë dëshmi se ky dokument ishte në veturën e Smakajt dhe as kush e solli aty, duke mohuar se ishte marrë nga Smakaj në Hagë.
Ai tha se ZPS-ja nuk ka dhënë dëshmi se kush e ka printuar këtë dokument të titulluar “për avokatët” në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Edhe të akuzuarit e tjerë më herët kanë mohuar fajësinë për veprat që ngarkohen.
Ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës.
Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për mosbindje ndaj gjykatës.
E Kuçi ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Thaçi është pjesë edhe e procesit të madh gjyqësor, ku janë edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Edhe
Ekspertja e forenzikës linguistike: Transkriptet e përgjimeve kanë besueshmëri të ulët
Faza përfundimtare e këtij gjykimi, që përfshin fjalët përfundimtare të palëve, ka përfunduar rreth mesit të shkurtit 2026.
Prokuroria dhe mbrojtja kanë paraqitur argumentet përmbyllëse për akuzat e krimeve të luftës, ndërsa vendimi i shkallës së parë pritet rreth majit 2026.