Si kryetari i LVV-së, Albin Kurti ashtu edhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku kanë theksuar se nuk duan zgjedhje të reja, teksa kanë thënë se janë marrë vesh që përmbajtja e diskutimeve të mbetet konfidenciale. Ndërkohë, nga PDK-ja kanë kërkuar nga Kurti, që para se të ketë takim, ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të rritet serioziteti. Partitë kanë afat deri më 28 prill për ta zgjedhur presidentin, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje
Takimi dy orësh mes kryetarit të Vetëvendosjes dhe kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, nuk ka prodhuar marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri.
Të dy kanë theksuar se nuk duan zgjedhje të reja, teksa kanë thënë se janë marrë vesh që përmbajtja e diskutimeve të mbetet konfidenciale.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAbdixhiku ka përsëritur qëndrimin e LDK-së se presidenti i ri nuk duhet të jetë nga radhët e Vetëvendosjes.
“Çdo marrëveshje që siguron minimumin e votave të nevojshme është e mjaftueshme kushtetueshmërisht. Jo nuk kemi diskutuar ende emra konkretë siç e dini procesi është i nisur kemi dy kandidatura, LDK-ja vazhdon të besojë që të tri pozitat nuk mund t’i takojnë një partie politike”, ka thënë ai.
Kryetari i LDK-së ka paralajmëruar takime të tjera, si me Kurtin, ashtu edhe me përfaqësues të partive të tjera politike.
“Unë do të takoj natyrisht edhe liderët e tjerë politikë, të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të kuptuar edhe pozicionet e tyre mbi këtë rrethanë e më pas do të provojmë përmes takimeve të reja, transparente, por besa edhe konfidenciale të gjejmë një zgjidhje”, ka thënë Abdixhiku.
Pas takimit, kryeministri Kurti është shprehur optimist për zgjidhjen e problemit, për shkak të, siç ka thënë, atmosferës konstruktive në takim me Abdixhikun dhe dashamirësisë për t’i shmangur zgjedhjet, të cilat sipas tij, nuk mund të prodhojnë rezultat shumë të ndryshëm nga ai i 28 dhjetorit 2025.
Kurti nuk e ka mohuar diskutimin për emra të përveçëm, veçse ka thënë se pa qenë i sigurt për rezultatin nuk mund të shpalosë asgjë për publikun.
“Takimi ishte tete-a-tete dhe ne duhet ta ruajmë konfidencialitetin e bisedimeve. Në momentin kur propozimet, iniciativat sjellin rezultat konkret atëherë do të mund të përgjigjemi konkretisht për të arriturat. Por, përderisa ky nuk është rasti, nuk mund të flasim për mendime që i themi aty, e të cilat as nuk kanë sjellë dështim por as sukses”, ka deklaruar Kurti.
Të hënën, Kurti ka thënë se po bën përpjekje të takohet edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
Por PDK-ja i ka kërkuar liderit të Vetëvendosjes Albin Kurtit, ta konkretizojë iniciativën e re për çështjen e presidentit në formë të shkruar .
“Atij i është kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të rritet serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje. Pas këtij konkretizimi nga ana e tij, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së”, thuhet në një njoftim të zyrës për media në PDK.
Pas kësaj përgjigje dhe pas takimit me Abdixhikun, Kurti ka deklaruar se qëndrimi i PDK-së nuk lë hapësirë për marrëveshje.
“Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk ka nxjerrë asnjë emër përpara nesh, ajo vetëm ka kërkuar që ne t’i besojmë në mënyrë absolute dhe të verbër. Pra absolute që dy kandidatët të jenë të PDK-së dhe të verbër që të mos na e tregojnë emrin paraprakisht. Si subjekt demokratik që jemi, me statutin e LVV-së, me mua si kryetar i saj kjo e bën të pamundur marrëveshjen”, ka thënë Kurti.
Në fakt, takimi i së hënës ishte i katërti mes Kurtit dhe Abdixhikut për çështjen e presidentit.
Tri takimet e mëparshme, po ashtu pa rezultat, janë mbajtur para 5 marsit, kur seanca për zgjedhjen e presidentit është ndërprerë në mungesë kuorumi.
Ky është takimi i parë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i nxjerrë para 12 ditësh, me të cilin është shfuqizuar dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Vendimi u ka dhënë deputetëve 34 ditë afat për zgjedhjen e presidentit të ri.
Nëse procesi nuk përmbyllet suksesshëm deri më 28 prill, vendi do të shkojë në zgjedhje brenda 45 ditëve.
Takime, Kurti ka mbajtur edhe me Hamzën. Në dy takimet e zhvilluara gjatë muajit shkurt, Hamza i ka propozuar Kurtit një zgjidhje sipas së cilës presidenti i ri do të duhej të ishte kandidat i propozuar nga PDK-ja.
Koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Vetëvendosje ka 66 deputetë, 14 më pak se numri minimal i ligjvënësve që kërkohen për të votuar në dy rundet e para për ta zgjedhur presidentin.
Deri tash, kandidatura zyrtare për presidentë janë Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, të dy nga Vetëvendosje.
Partia Demokratike ka 22 deputetë, që e bën të pamundur t’i mbledhë e vetme 30 nënshkrime për ta prezantuar një kandidaturë.
66 deputetët e shumicës dhe 22 të PDK-së do ta kalonin pragun kushtetues dhe njëkohësisht do të përmbushnin kërkesën e Kurtit që në sallë të jenë 84 deri në 86 deputetë për zgjedhjen e presidentit, pasi sipas tij, minimumi prej 80 deputetësh nuk garanton suksesin e procesit.