LAJMET E MBRËMJES

Dy dëshmitarë flasin për keqtrajtime në rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së

Dëshmitari i gjashtë në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit tha se një familjar iu vra e një tjetër iu keqtrajtua. E dëshmitari i shtatë theksoi se vetë ishte viktimë e keqtrajtimeve. Seanca e radhës parashihet për datën 12 qershor

Dëshmitari i gjashtë në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së ia ka faturuar përgjegjësinë kësaj ushtrie për krime të kryera ndaj dy familjarëve të tij. Për njërin nga ta tha se është vrarë e për tjetrin tha se është keqtrajtuar në një qendër ndalimi, meqë e akuzonin për bashkëpunëtor të Serbisë.

Para trupit gjykues në Hagë, ai tha se për t’u interesuar për fatin e të dyve, ka shkuar në Prishtinë në zyrën politike të UÇK-së, që e drejtonte Adem Demaçi, e më pas edhe në shtëpinë e zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Aidan Ellis, avokat i Krasniqit, e pyeti atë për shkuarjen në fshatin Negroc.

“Domethënë shkove te fshati dhe s’i the askujt se do të shkoje”, pyeti avokati Ellis.

Dëshmitari iu përgjigj se shkoi me nënën e tij.

“Bashkë me nënën. Gjithmonë ishte nëna ajo që lypte me shku e unë u duhke me çu”, u përgjigj dëshmitari i gjashtë.

Ellis e pyeti edhe nëse ka mundur të flasë me Krasniqin.

“Duke qenë se Jakup Krasniqi nuk ishte aty, nuk keni biseduar ndonjëherë me zotëri Krasniqin, a është kështu”, e ka pyetur Ellis dëshmitarin. E dëshmitari e konfirmoi se nuk e kishte gjetur në fshat Krasniqin. “S’kemi biseduar”, tha dëshmitari.

Përmes TV-së dhe disa njerëzve, ai tha se pati dëgjuar se Demaçi dhe Krasniqi “ishin” mbi UÇK-në.

Në fund të dëshmisë së tij, pyetje i shtruan edhe anëtarë të trupit gjykues, përkitazi me vendin ku është mbajtur familjari (personi 2), për të cilin tha se është keqtrajtuar. Në transmetim, përgjigjja është mbyllur për publikun.

Dëshmitari u është përgjigjur edhe pyetjeve rreth gjetjes së trupit të viktimës tjetër (personit 1). Anëtari i trupit gjykues Guénawl Mettraux e pyeti nëse ka pasur ku të interesoheshin e të ankoheshin zyrtarisht për familjarët e tij.

“Na the, kur iu përgjigje z. Ellis se u përpoqe të takoje dy persona të UÇK-së dhe unë dua të pyes: në qershor të 98-s, a kishte ndonjë vend ose ndonjë institucion, ku mund të shkoje ti ose numri 2 që të kërkonit të hapej një hetim për t’u zbuluar çfarë kishte ndodhur me personin numër 1 dhe numër 2. A kishte ndonjë autoritet ku mund të shkonit dhe të kërkonit që të çelej një hetim për këtë çështje?”, ka pyetur Mettraux.

Dëshmitari u përgjigj se s’kishte adresë zyrtare dhe se kishin shkuar tek ata për të cilët kishte dëgjuar nga njerëzit e tjerë si përfaqësues të UÇK-së.

“Jo. Ato vende që i dishim, ato, kah kemi dëgju na jemi shku”, u përgjigj dëshmitari i gjashtë.

Në seancë të hapur dëshmitari i gjashtë ka marrë pyetje edhe për personin 3, për të cilin dëshmitari i pestë ka thënë se ishte ndaluar ashtu si personi 2. Avokati Eric Tully, mbrojtës i Rexhep Selimit, e ballafaqoi atë me një deklaratë të dhënë në Prokurori.

“Ti për ZPS-në ke thënë: ‘në një rast personi 3 e mbajti një mbledhje në fshat, ka mbajtur një mbledhje në fshat me dalë natën me rujtë. Personi 3 ka bërë roje me disa të rinj, me disa djem. Fshati ka mbajtë mbledhje për me dalë me ba roje natën. Pyetja: Pra kanë qenë civilët e fshatit ata që kanë bërë detyrat e rojës? Përgjigja është: E rojës, po. A të kujtohet që ia ke thënë këto Prokurorisë në intervistën e vitit 2019? ”, pyeti avokati Tully. Dëshmitari i gjashtë e konfirmoi deklaratën.

“Po, në 98-n, nga fundi i 98-s, kryesia e fshatit e patë ba mbledhjen që disa, disa, me dalë natën me ba roje në fshat. Më 98-n diku gusht-shtator aty pari ka ndodhë ndoshta”, tha dëshmitari.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor ka dëshmuar edhe dëshmitari i shtatë, i cili tha se është keqtrajtuar dhe se i përjeton edhe sot pasojat.

“Shumë keq. Kam përjetuar shumë dhimbje dhe kam ende mendime t‘freskëta që s’më hiqen kurrë. Shumë më përkujtohen këto. A e di që ma tmerr nuk ka.... Disa vite në Zvicër atje, dy vite kam shkuar vazhdimisht te psikologu, por kujtimet prapë nuk më hiqen, vazhdimisht i kam”, u përgjigj dëshmitari në pyetjet e mbrojtësit të viktimave Simon Laws lidhur me pasojat që ia kishte lënë keqtrajtimi.

Ai tha se pjesëtarë të UÇK-së ia kishin marrë një veturë dhe se atë nuk ia kishin kthyer.

Edhe dëshmitari i shtatë e ka përfunduar të martën dëshminë, në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në mungesë të dëshmitarëve të tjerë në dispozicion është anuluar seanca e paraparë për 24 maj. Seanca e radhës parashihet për datën 12 qershor. Për këtë muaj gjykata i ka paraparë shtatë seanca (12 - 15 dhe 19 - 21).

Zyra e Prokurorit të Specializuar i akuzon ata për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura dhe trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën mars 1998–shtator 1999 dhe pjesëmarrje drejtpërsëdrejti në frikësim, marrje në pyetje, keqtrajtim të atyre që i shihnin si kundërshtarë politikë.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi i kanë mohuar tërësisht akuzat e ZPS-së.