Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të enjten ka filluar dëshminë dëshmitari i 91-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili mban kodin W04669 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe pyetjet për atë në seancë private i ka filluar prokurori Cezary Mihailzcuk. Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurori, ky dëshmitar më 1999 ishte arrestuar nga pjesëtarët UÇK-së, ku edhe ishte keqtrajtuar. Po ashtu, theksoi se kishte parë keqtrajtimin e një viktime të vrasjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Në vitin 1999 dëshmitari 04669 është arrestuar na disa pjesëtarë të UÇK-së dhe është dërguar në një kompleks të UÇK-së. Atje, dëshmitari 04669 është keqtrajtuar, është marrë në pyetje dhe është mbajtur në kushte çnjerëzore. Ai, gjithashtu ka parë me sytë e vet keqtrajtimin e një viktime vrasjeje dhe ka dëgjuar rrahjet e disa personave të tjerë të mbajtur të ndaluar bashkë me atë”, tha prokurori, duke kërkuar më pas seancë private për pyetjet e radhës.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ditë. Nga kjo kohë, një orë janë paraparë për pyetjet e ZPS-së, ndërsa mesatarisht rreth dy orë për ekipet mbrojtëse.
Gjithashtu, Smith III tha se pyetje për dëshmitarin do të ketë edhe mbrojtësi i viktimave. Pas ZPS-së dhe mbrojtësit të viktimave, mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokates, Shyamala Alagendra tha se ata do të jenë të parët që të do të fillojnë me pyetje.
Edhe
Në seancë të mbyllur, dëshmon dëshmitari i radhës në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit, përveç Hashim Thaçit, i cili po e përcjellë përmes video-lidhjes. Gjithashtu, virtualisht është prezent edhe gjyqtari Fergal Gaynor.
Smith gjithashtu tregoi se ka ndryshime edhe në orarin e sotëm të seancës. Ai tha se pushimin e drekës do ta bëjnë në orën 13:00 deri në orën 14:00 për të vazhduar më pas me seancën e dytë deri në ora 15:00, gjithnjë me 45 minuta vonesë në transmetim.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Edhe
ZPS për dëshmitarin e 119-të: U rrëmbye nga persona me uniforma të UÇK-së
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi