Ish-udhëheqësit e UÇK-së për herë të parë në këtë vit dolën të hënën para Gjykatës Speciale, ku dëgjuan dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur. Shumica e kësaj seance u mbajt e mbyllur për publikun, mirëpo përmbajtjen e dëshmisë në pika të shkurtra e prezantoi ZPS-ja.
Pas pushimit dimëror ka rifilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në seancën e së hënës ka dëshmuar nën masa mbrojtëse dëshmitari i 39-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar e përpos betimit solemn e gjithë dëshmia gjatë ditës ishte në seancë private.
Por fillimisht prokurori Nathan Quick para trupit gjykues prezantoi se çka përmban kjo dëshmi.
“Dëshmitari ka shërbyer në Zonën Operative të Dukagjinit nga mesi i vitit 1998 dhe jep informacion sa u takon strukturës dhe marrëdhënies ndërmjet forcave të UÇK-së dhe forcave të armatosura të Republikës së Kosovës (FARK). Sipas dëshmitarit, FARK-u dhe njësi të caktuar në dhe përreth Zonës Operative të Dukagjinit kanë respektuar vetëm autoritetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që është njohur edhe si Qeveria në Ekzil”, tha ai.
Sipas prokurorit Quick, situata ka ndryshuar pas një takimi që kanë pasur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së me anëtarë të FARK-ut.
“Dëshmitari do të tregojë që në mbledhjen mes anëtarëve të FARK-ut dhe UÇK-së, diku kah fundi i gushtit apo fillimi i shtatorit 1998, anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së kanë vendosur autoritetin e plotë mbi forcat në Zonën Operative të Dukagjinit, sipas dëshmitarit personi kryesor në UÇK ka qenë Hashim Thaçi”, theksoi ai.
Prokurori special Quick ka thënë që dëshmitari ka hasur në një letër, sipas tij, të lëshuar nga Azem Syla dhe Jakup Krasniqi.
Me kërkesën e ZPS-së deklaratat e këtij dëshmitari të dhëna më herët së bashku me materialet përcjellëse u pranuan si prova materiale.
Dëshminë pritet ta vazhdojë edhe të martën e do merret në pyetje nga mbrojtjet e të akuzuarve. Dëshmia e tij pritet të zgjasë dy ose tri ditë.