Besmir Doçi ka dëshmuar në procesin gjyqësor për masakrën e Izbicës. Ai vetë është i mbijetuar dhe ka shprehur bindjen se Muhamet Alidemaj ka qenë pjesëmarrës në krimin e kryer nga forcat serbe, në të cilin u vranë mbi 140 civilë shqiptarë, e në mesin e të cilëve edhe babai i këtij dëshmitari.
Në procesin gjyqësor për masakrën e Izbicës, dëshmitari Besmir Doçi tha se është interesuar vazhdimisht të kuptojë se kush ishin personat në mesin e forcave serbe, përgjegjës për krimin, e që folën shqip.
Doçi, të cilit iu vra babai, dëshmoi në procesin gjyqësor, në të cilin Muhamet Alidemaj akuzohet për pjesëmarrje në masakrën që është kryer më 28 mars 1999, në të cilën forcat serbe vranë mbi 140 civilë shqiptarë në këtë fshat të Skenderajt.
I mbijetuari i masakrës, i cili ishte 13 vjeç më 1999, tha se ka pasur pjesëtarë të forcave serbe që në shqip kanë folur, kur kanë plaçkitur, para se ta kryenin krimin e përgjakshëm.
“Kur jon hi n’tubë kanë lypë mas pari me marrë pare... Ne s’e dinim serbishten, aj që ka folë shqip na tha duhet t'i qitni krejt çka keni”, tha Doçi.
Ky dëshmitar tha se dyshimet se Alidemaj është i përfshirë në masakër dhe ka bashkëpunuar me forcat serbe, i janë forcuar pas varrimit të viktimave, kur e pa se shtëpitë e familjarëve të tij nuk ishin djegur dhe se këtë e ka dëgjuar edhe nga një i mbijetuar tjetër i masakrës.
“Mas varrimit kemi shku në Tushilë... Krejt shpijat janë të kallura, veç disa që i ka sebep ky janë pa djegur... Kanë thënë edhe para lufte ka qenë me ta, e ka ditë mirë territorin e Drenicës edhe dikush prej viktimave të masakrës së Izbicës e ka njohur në zë. Ai që ka shpëtuar”, tha Doçi.
Dëshmitari tha se e njeh një familjar të të akuzuarit që i ka thënë se ai ka ikur në Serbi pasi ka kryer krime lufte në Kosovë dhe se i ka shpëtuar nga djegia shtëpitë e familjarëve të tij në fshatin Tushilë. E emrin e personit që ia tha këto nuk e përmendi gjatë dëshmisë, por e shkroi numrin e tij të telefonit në letër, për t’ia dhënë gjykatës.
E kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, refuzoi kërkesën e avokatëve Milosh Deleviq e Dejan Vasiq, që e mbrojnë të akuzuarin Alidemaj, për ta ndarë tash për tash letrën që ja dha dëshmitari, pasi fillimisht do ta vlerësojë gjykata nëse këtë person do të ftojë si dëshmitar.
Alidemaj u arrestua më 30 mars të 2021-tës pasi u kthye për herë të parë në Kosovë, në fshatin Kërrninë të Istogut. Ai akuzohet për krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare, përfshirë pjesëmarrjen në masakrën e Izbicës. Mbi të rëndojnë edhe akuzat për pjesëmarrje në zhvarrosjen e kufomave të kësaj masakre, të cilat u rivarrosën në fshatin Suhodoll të Mitrovicës, në fshatin Novolan të Vushtrrisë e në një qendër stërvitore të institucioneve të sigurisë së Serbisë në lagjen Batajnicë të Beogradit.