(Tekst i përditësuar) - Aktgjykim dënues kanë kërkuar Prokuroria Speciale si dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuat edhe në rigjykim ndaj Muhamet Alidemajt, i akuzuari për veprën penale “Krime Lufte kundër popullsisë civile”.
Prokurori special Ilir Morina në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se i akuzuari duhet të shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet.
“Me 28 mars 1999 u ekzekutuan 130 civilë shqiptarë, gratë dhe fëmijët u dëbuan në drejtim të Shqipërisë, shtëpitë u dogjën sistematikisht. I pandehuri Alidemaj vullnetarisht iu bashkohet forcat ushtarake serbe. Ai mori pjesë në veprime që përfshijnë vrasje, tentimvrasje, dëbim masiv. Provat e administruara tregojnë se i pandehuri ishte banor lokal, njohës i terrenit. Ditën e ngjarjes ishte i armatosur dhe i pranishëm. Mori pjesë aktive në maltretime, plaçkitje, mbikëqyrjen e popullsisë së grumbulluar. I pandehuri ka pas rol aktiv në fshatin Izbicë gjatë masakrës, ai e njihte shumë mirë fshatin Izbicë, familjet e hyrjet e daljet e fshatit. Prania e një bashkëpunëtori lokal e ka bërë më efikas planin kriminal. Dëshmitarët kanë treguar se i pandehuri është parë i pranishëm me forcat ushtarake serbe”, ka thënë prokurori Morina.
E edhe mbrojtësi i viktimave Veton Rudaku kërkoi aktgjykim dënues.
“Mbështes fjalën e prokurorit, kemi ardhur në përfundim se i akuzuari Muhamet Alidemaj ka kryer veprën penale në Masakrën e Izbicës. Dëshmitarët e identifikuan dhe ia bën me gisht si person që e kishin parë në fshatin Izbicë duke u paraprirë forcave ushtarake serbe. I akuzuari në asnjë rast nuk shpreh keqardhje për ngjarjen e rëndë. I propozojmë Gjykatës të shpallë aktgjykim dënues”, ka thënë ai.
E mbrojtësi i të akuzuarit Muhamet Alidemaj, avokati Millosh Deleviq i ka kërkuar Gjykatës aktgjykim lirues.
Aktgjykim lirues ka kërkuar edhe mbrojtësi tjetër i të akuzuarit Alidemaj, avokati Dejan Vasiq.
I akuzuari Muhamet Alidemaj tha se është i pafajshëm dhe e mbështet fjalën përfundimtare të avokatëve të tij.
Sipas aktakuzës, Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë.
Në seancën fillestare më 29 prill 2022, në gjykimin e parë, Alidemaj ishte deklaruar i pafajshëm. Njëjtë u deklarua edhe në seancën e rigjykimit më 23 tetor 2025.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 12 korrik 2024 e shpalli Muhamet Alidemajn fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burgim për krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë.
Por, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.
Sipas Apelit, në aktgjykimin e shpallur, Themelorja, Alidemajn e ka dënuar me 15 vjet burgim, por, sipas kësaj gjykate, në të mungojnë arsyet për faktet vendimtare, të cilat nuk janë vlerësuar në mënyrë të plotë.




