Kundër ngërçit politik sërish pati protestë të enjten para Kuvendit. Para se të hynin në objekt, deputetët u përballën me dy protesta të ndryshme: pankarta dhe fishkëllima nga organizata të shoqërisë civile dhe pak metra më tutje katër gomarë. Të dyja u zhvilluan paralelisht, tek deputetët hynë e dolën pa e konstituuar Kuvendin
99 deputetët që të enjten kanë marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive për të 41-tën herë, para hyrjes së Kuvendit janë pritur nga dy aksione simbolike në formë proteste.
Organizata të shoqërisë civile, me anë të pankartave, kanë kërkuar llogari nga të zgjedhurit.
“Marrëveshje politike”, “Në krizë për vullnet politik”, “Çdo vonesë ka kosto”, ishin disa prej mesazheve në pankarta që ata i kanë mbajtur në duar, derisa edhe kanë fishkëllyer.
Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka thënë se bllokimi i Kuvendit po i kushton shtetit shumë.
“Shteti është në pauzë për më shumë se katër muaj. Me vetë faktin që Kosova është duke humbur ndihma financiare, që shkojnë me qindra-miliona euro nga Bashkimi Evropian, nga Banka Botërore e tregon nevojën e domosdoshme që sa më shpejt partitë politike, deputetët, të gjejnë një zgjidhje për ta bërë konstituimin e Kuvendit. Neve, si organizata të shoqërisë civile, s’na ka mbetur tjetër përpos t’i kërkojmë deputetëve që nëse nuk e kryejnë detyrën e tyre për të cilën e kanë marrë bekimin e qytetarëve, votat e qytetarëve, t’i pyesim nëse duan të shkojnë në deti”, ka thënë Miftaraj.
Aksion në formë proteste bëri edhe avokati Arianit Koci. Ai i dërgoi katër gomarë para hyrjes së Kuvendit, teksa priste që deputetët të hyjnë në Kuvend për ta shënuar dështimin e 41-të.
Koci ka thënë se për protestë i zgjodhi gomarët, pasi në këtë situatë kanë simbolikë të dyfishtë.
“Me tregu kush po na udhëheq. Pra, gomarët po na udhëheqin dhe të njëjtit po mendojnë që ne jemi gomarë”, ka thënë Koci.
Teksa i përkëdhelte gomarët, Koci ka thënë se përgjegjës për bllokadën e mban Albin Kurtin.
“Unë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e kam përcaktuar kush është fajtor. Fajtor është Albin Kurti. E ka krijuar në opinion publik, ajo që në lojën politike dhe spiunazh quhet ‘Loja e Pasqyrave të Dyfishta’, ku kurrkush, kurrkujt s’i beson dhe e vërteta është vetëm ajo çka thotë lideri”, është shprehur Koci.
Edhe të enjten, si 40 herët e tjera, deputetët kanë dështuar ta konstituojnë legjislaturën e nëntë.
Seanca ka nisur më 15 prill e për t’u konsideruar e mbyllur kërkohet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.