Edhe të dielën, për herë të 21-të me radhë, ka dështuar që të konstituohet legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës. Si rëndomë, partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit e partitë e tjera kanë fajësuar njëra tjetrën për bllokadë e kanë bërë thirrje për reflektim.
2 minuta e 42 sekonda.
Kaq i janë dashur kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, që të hapë dhe mbyllë vazhdimin e 21-të të seancës konstitutive.
Skenari i mbledhjes ishte i njëjtë: konstatimi i numrit të deputetëve pjesëmarrës, kërkesa për propozim të anëtarëve të komisionit zgjedhor, hedhja në votim e tij, e mbyllja e seancës në mungesë të kuorumit në vendimmarrje.
“53 deputetë kanë dhënë votën për, kundër- një, abstenim nuk ka. Ndërpritet seanca shihemi me 27 maj në orë 11”, ka deklaruar Avni Dehari, kryesues i seancës konstituive.
Pas ndërprerjes së seancës, dy taborët politikë i bënë thirrje njëra-tjetrës për reflektim.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se qytetarët kanë votuar për të pasur institucione të reja e jo për bllokada.
“Edhe nga kjo konferencë këtu, i bëjnë thirrje, i bëjmë ftesë që të reflektojë. Qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për bllokadë, qytetarët e Kosovës kanë votuar për të ndërtuar institucione të reja të cilat do të duhej të ballafaqoheshin me sfidat e qytetarëve. Fatkeqësisht asgjë nuk është duke ndodhur. I bëjmë edhe një herë apel në mënyrë që reflektojë në mënyrë që të ecim tutje”, ka thënë ajo.
Por, bllokuese në konstituimin e Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje i sheh partitë e tjera, që s`po marrin pjesë në votimin për komisionin zgjedhor për organizimin e votimit të fshehtë.
Sipas deputetes Arbëreshë Kryeziu, propozimi i VV-së për kryetare të Kuvendit nuk është problemi në situatën e krijuar.
“Nuk është problemi te zonja Haxhiu, problemi është se ata nuk po duan te ecin përpara me konstituim e të mbërrijnë deri të procedurat e tjera sepse thjeshtë po duan ta mbajnë të bllokuar institucionin më të rëndësishëm në vend, duke mos marrë pjesë fare në votim dhe duke vazhduar arsyetimet e njëjta për javë tashmë, në vend që tashmë të votonin dhe të ecnin përpara dhe vendi ti kishte edhe institucionet funksionale”, u shpreh Kryeziu.
Pas dështimit të 21-të për konstituimin e Kuvendit, kandidates së VV-së për kryetare të Kuvendit, suksese i uroi deputeti i LDK-së, Arben Gashi.
Deputeti Gashi tha se institucionet duhet të formohen sa më shpejt.“Suksesin ja mundëson partia e vet e cila po thotë që i ka numër për qeveri por nuk i ka për Albulenën, mendoj që është degraduese...gjithsesi mendoj se ka kalu koha e arsyeshme e sjelljes së tillë politike dhe duhet sa më shpejt të formohet institucionet”, ka shtuar ai.
Seanca e parë për konstituimin e Kuvendit është mbajtur më 15 prill. Tentimi i 22-të me radhë për të përmbyllur këtë proces do të zhvillohet të martën.