Deputetët nuk e kanë konstituar Kuvendin as pas 45 përpjekjeve.
Edhe të premten deputetët kanë dështuar që ta formojnë komisionin për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit.
Në sallë ishin 93 deputetë. Prej tyre, 49 votuan për anjë kundër dhe asnjë abstenim.
Seanca e radhës do të mbahet të dielën nga ora 11:00.
Pati disa fjalime nga deputetët e opozitës para se të dështonte seanca e sotme.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, mori fjalën kur kryesuesi Avni Dehari ftoi partinë më të madhe opozitare ta propozojë një deputet për komision.
Tahiri para se t’i ndalej mikrofoni tha se kjo është hera e 45 që kryesuesi i seancës Avni Dehari po e shkel Kushtetutën e Kosovës.
Ekrem Hyseni i LDK-së i propozoi Derahrit “të kthehet të rendi i ditës dhe ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se “ka një bllokadë të qëllimshme të seancës”.
Pasi dështoi seanca, deputetët e tri partive opozitare vazhduan të qëndronin në sallë të Kuvendit. Kjo po bëhet si shenjë proteste “për mosrespektim të aktgjykimit të Kushtetueses nga partia që ka fituar më së shumti ulëse”. Ata mbajtën fjalime në foltoren e Kuvendit.
Pas mbylljes së seancës, deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se partitë e tjera po vazhdojnë shkeljet me deklarimet nga foltorja e Kuvendit pas përfundimit të seancës konstituive.
