Janë bërë 41 herë që deputetët kanë dështuar ta përmbyllin seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në sallë kanë qenë 99 deputetë, për formimin e komisionit për votim të fshehtë për zgjedhje të kryeparlamentarit kanë votuar 54 deputetë, kundër asnjë dhe asnjë kundër. Seanca e radhës është caktuar për të shtunën në orën 11:00. Me gjithë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i ka obliguar deputetët që brenda 30 ditësh të gjejnë zgjidhje për zgjedhjen e kryeparlamentarit, përfaqësues të partive që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë nuk i kanë ndryshuar qëndrimet. Seanca është shoqëruar me polemika mes kryesuesit, Avni Dehari, dhe përfaqësuesve të partive opozitare, të cilët në foltore nuk kanë propozuar emra për Komisionin për votim të fshehtë për zgjedhje të kryeparlamentarit porse i kanë kërkuar atij që “të ndalojë me shkelje kushtetuese”. Gjykata Kushtetuese i ka obliguar deputetët me aktgjykim që brenda 30 ditësh t’i japin zgjidhje konstituimit të Kuvendit.

Bllokada në Kuvend sërish në Kushtetuese

2 o. më parë / 3 kor 2025 11:56
kuvend

Photo: Driton Paçarada

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë vazhdimin e tri seancave të fundit konstituive.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se duhet të ndryshohet propozimi për kryetar të Kuvendit.
Ai ka shtuar se tri vazhdimet e fundit të seancës konstituive kanë qenë shkelje kushtetuese për çka ka paralajmëruar se sot do ta dërgojnë rastin në Gjykatën Kushtetuese.

“Unë nuk e kam parë mbrëmë intervistën e Kurtit sepse ka qenë një koncert shumë më i vlefshëm se fjalët e tij. Kurti i ka fituar 48 mandate dhe nuk është në gjendje ta bëjë shumicën parlamentare. Është ai që e pret me tmerr datën 12 tetor sepse e di që jo vetëm që do ta mundim në zgjedhje lokale po do ta plandosim në kuptimin elektoral, më zi se si ja kemi bërë para katër vjetëve”, ka thënë ai.

Ndërkaq për deklaratat e Kurtit në një nga emisionet televizive se zyrtarët e partive marrin instruksione nga të arrestuarit në Hagë, Krasniqi ka thënë se: “ndoshta Kurti tmerrohet nga fakti që shumë shpejt do t’i presim në mesin tonë çlirimtarët”.

E, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, ka thënë se po vazhdojnë shkeljet në çdo seancë të Kuvendit që është mbajtur prej pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ai ka thënë se po kërkojnë që Lëvizja Vetëvendosje të kthehet në rendin e ditës dhe ta respektojë Kushtetutën. Teksa, ka shtuar se do t’i drejtohen Kushtetueses.

“Jemi në përgatitje të lëndës për t’iu drejtuar Kushtetueses, por normalisht që jemi në koordinim dhe bashkëbisedime që të shohim si do ti qasemi. Gjithsesi se do t’i qasemi Kushtetueses me pyetjen që edhe aktgjykimi i fundit dhe Kushtetuta janë duke e shkelur në seancat e fundit”.

 

PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja në sallë edhe pas ndërprerjes së seancës

2 o. më parë / 3 kor 2025 11:49
Opozita - Kuvend

Photo: Driton Paçarada

Deputetet e partive që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë, kanë qëndruar në sallën plenare të Kuvendit edhe pasi që kryesuesi, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën. 

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë mbajtur fjalime duke i kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje të ndryshojë qëndrimin. 

Kanë folur Abelard Tahiri i PDK-së, Hykmete Bajrami e LDK-së dhe Time Kadrijja e AAK-së. 

Pas fjalimeve ata janë larguar nga salla plenare.

Edhe LVV-ja do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

2 o. më parë / 3 kor 2025 11:49
nezir kraki

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka dhënë një aktgjykim e se në të nuk ka vend për disa interpretime. 

Sipas tij, aktgjykimi ka qenë i qartë se si duhet të vazhdohet me seancën konstituive të Kuvendit. Siç ka thënë Kraki, partitë e tjera nuk po votojnë në seancë sepse nuk po e pranojnë rezultatin nga zgjedhjet e 9 shkurtit. 

“Krejt ata që bëhen eksperta të drejtës kushtetuese duhet ta dinë që kur një gjë thuhet në një vendim të formës së prerë nuk mund ta interpretosh në disa forma. Për keqardhje që pas atij aktgjykimi kemi disa interpretime, që pas takimeve prapë pozicionet nuk kanë ndryshuar, sikur që është për keqardhje insistimi për refuzimin... Kjo ardhja në seancë sa për spektakël, ka nise më i dalë boja edhe kësaj. Qëndrimi në sallë nuk ka asnjë simbolikë. Të kishin vullnet ata, do ta kishin çu dorën”, ka thënë ai. 

Partitë politike në vend, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje, kanë dalë me interpretime të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që kur kjo e fundit e publikoi atë. 

Ai paralajmëroi se do t'i kërkojnë sqarime Kushtetueses.

“Ne jemi të obliguar që ta kërkojmë ndoshta edhe një mendim të Gjykatës Kushtetuese, edhe një ndërhyrje, që të jetë më e qartë, më precize dhe të mos ia mundësojë secilit të ketë interpretim të dyfishtë ose trefishtë”, tha ai.

 

Edhe një dështim i deputetëve

3 o. më parë / 3 kor 2025 11:30
Kuvendi i Kosoves - 3 korrik

Photo: Driton Paçarada

Janë bërë 41 herë që deputetët kanë dështuar ta përmbyllin seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Në sallë kanë qenë 99 deputetë, për formimin e komisionit për votim të fshehtë për zgjedhje të kryeparlamentarit kanë votuar 54 deputetë, kundër asnjë dhe asnjë kundër. 

Seanca e radhës është caktuar për të shtunën në orën 11:00.

Me gjithë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i ka obliguar deputetët që brenda 30 ditësh të gjejnë zgjidhje për zgjedhjen e kryeparlamentarit, përfaqësues të partive që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë nuk i kanë ndryshuar qëndrimet. 

Seanca është shoqëruar me polemika mes kryesuesit, Avni Dehari, dhe përfaqësuesve të partive opozitare, të cilët në foltore nuk kanë propozuar emra për Komisionin për votim të fshehtë për zgjedhje të kryeparlamentarit porse i kanë kërkuar atij që “të ndalojë me shkelje kushtetuese”.

Gjykata Kushtetuese i ka obliguar deputetët me aktgjykim që brenda 30 ditësh t’i japin zgjidhje konstituimit të Kuvendit.

Shoqëria civile sërish proteston para Kuvendit

3 o. më parë / 3 kor 2025 11:05
shoqëria civile

Dhjetëra përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile edhe të enjten kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës duke kërkuar konstituimin e organit ligjvënës. 

“Marrëveshje politike”, “Në krizë për vullnet politik”, “Çdo vonesë ka kosto”, janë disa prej pankartave që ata kanë mbajtur në duar, derisa kanë fishkëllyer. 

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile qe disa javë radhazi janë duke protestuar para mbajtjes së seancës konstituive. 

Haradinaj: Kurti e ka nda mendjen ta bëjë keq e më keq Kosovën

3 o. më parë / 3 kor 2025 11:04
Ramush Haradinaj AAK

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duhet të lëshojë rrugë.

Ai ka theksuar se Kurti po do ta bëjë gjendjen edhe më keq se që është me moskonstituimin e institucioneve.

“Nëse nuk i ka 61 vota le të lëshojë rrugë. Mund të japin sa të duan emra, por po shihet që ai e ka nda mendjen ta bëjë keq e më keq për Kosovën”.  

Koci në Kuvend me katër gomarë

3 o. më parë / 3 kor 2025 10:54
koci

Avokati Arianit Koci ka çuar katër gomarë tek oborri i Kuvendit të Kosovës, në shenjë proteste ndaj bllokadës në Kuvend.

Koci ka thënë se gomarët i kanë sjellë nga Istogu.

Ai ka thënë se nuk dëshiron të jetë faktor i ndasive por unitetit.

Koci ka kritikuar edhe partitë tjera duke shtuar se ndoshta një gjendje e tillë po u konvenon edhe atyre.

“Pas aktgjykimit të Kushtetueses e kam përcaktuar se kush është fajtor, fajtor është Albin Kurti”, ka thënë ai.

Koci është duke protestuar që disa javë lidhur me ngërçin e krijuar në Kuvend.